Ministria e Punëve të Brendshme ka dalë me një njoftim publik lidhur me një valë të re sulmesh kibernetike të llojit “phishing”, të cilat janë vënë re kohët e fundit. Këto sulme shfrytëzojnë kanale të ndryshme komunikimi si SMS-të, postën elektronike, uebsajtet, aplikacionet celulare dhe platformat e rrjeteve sociale për të mbërritur te viktimat e mundshme.
Të lidhura
None found
Sipas autoriteteve, mesazhet mashtruese janë të kamufluara sikur të ishin dërguar nga Departamenti i Automjeteve Motorike, duke u paraqitur si njoftime nga sistemi “Safe City”. Brenda këtyre komunikimeve përfshihet një vegëz false e cila e ridrejton marrësin në një faqe ku i kërkohet të kryejë një pagesë për një gjobë trafiku që në të vërtetë nuk ekziston.
Ministria u drejtohet qytetarëve me një sërë rekomandimesh për të shmangur rënien pre e këtyre mashtrimeve. Ata këshillohen të tregojnë vigjilencë gjatë lundrimit në internet, të mos klikojnë mbi lidhje apo mesazhe me origjinë të dyshimtë dhe të mos zbulojnë kurrsesi të dhënat personale përmes rrugëve jozyrtare. Ndër këto të dhëna përfshihen numrat e kartave bankare, fjalëkalimet dhe kodet identifikuese. Po ashtu, qytetarët u bëhet thirrje të verifikojnë me kujdes adresën e dërguesit, pasi institucionet dhe kompanitë legjitime operojnë gjithmonë me domene zyrtare. Një tjetër masë mbrojtëse thelbësore është aktivizimi i autentifikimit me dy faktorë (2FA) për llogaritë online, si dhe sinjalizimi i menjëhershëm pranë autoriteteve kompetente ose bankës përkatëse në rast se hasin komunikime të dyshimta.
Nga MPB-ja sqarojnë gjithashtu se sinjalizimet reale përmes SMS për shkelje të konstatuara duhet të vijnë domosdoshmërisht nga dërguesi me emërtimin “MVR-SC”. Përmbajtja e këtyre mesazheve zyrtare përmban gjithmonë targën e mjetit që ka kryer kundërvajtjen, si dhe një vegëz që fillon me formatin e saktë “https://safecountry.mvr.gov.mk…”.
Sektori i Krimit Kibernetik pranë Ministrisë së Brendshme po zhvillon hetime intensive dhe po ndërmerr veprimet e nevojshme për të zbuluar e penalizuar personat përgjegjës për këtë skemë mashtrimi.
