Ministri i Jashtëm i Greqisë, kërkon që të respektohet Marrëveshja e Prespës: Nuk është çështje e vetëvendosjes së zyrtarëve

“Marrëveshja e Prespës është parakusht për përparimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian”, ka thënë kreu i diplomacisë greke, Giorgos Gerapetritis.

Në një dalje televizive sot në mëngjes, ai tha se Athina zyrtare kërkon zbatimin e vazhdueshëm të marrëveshjes, edhe nëse, siç shton ai, njëra nga palët nuk është dakord me atë që shkruhet.

Gerapetritis iu përgjigj edhe qëndrimit të Presidentes Gordana Siljanovska Davkova se nuk do ta përdorë emrin kushtetues në paraqitjet publike dhe se është e drejta e saj personale për vetëvendosje.

“Greqia kërkon respektimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës. Nuk është çështje e vetëvendosjes së zyrtarëve, politikanëve, këtë e kuptojmë të gjithë, por është çështje respektimi i asaj që është rënë dakord”, tha Giorgos Gerapatritis, ministër i jashtëm i Greqisë.

Pasi Presidentja e re nuk përmendi emrin kushtetues në betimin zyrtar, Departamenti Amerikan i Shtetit bëri thirrje se duhet të respektohen marrëveshjet ndërkombëtare dhe SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë integrimin e plotë të vendit.

“SHBA mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj Marrëveshjes së Prespës dhe integrimit të Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë që po formohet qeveria e re dhe po zgjidhet kryeministri, ne do të vazhdojmë të përforcojmë rëndësinë e respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe përfitimeve të anëtarësimit të plotë në BE”, thuhet në reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Më herët ka reaguar edhe Ministria e Jashtme gjermane. Berlini zyrtar theksoi se Maqedonia e Veriut është e obliguar të respektojë Marrëveshjen e Prespës dhe po ashtu është e rëndësishme që vendi të vazhdojë rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

Kabineti i Siljanovska Davkovës një ditë më parë theksoi se ajo do t’i përmbahet zbatimit zyrtar të emrit kushtetues, por se në paraqitjet publike presidentja ka të drejtë të përdorë emrin “Maqedoni”.