Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, deklaroi se procesi i rikonstruimit të Qeverisë nuk përfshin vetëm nivelet më të larta, por edhe kuadro nga shkallët e dyta dhe të treta, të vendosur në poste nga të cilat priten rezultate konkrete.
Ai bëri të ditur gjithashtu se të shtunën do të mbahet një takim mes delegacioneve të partive të drejtuara nga liderët e OBRM-PDUKM-së dhe Lëvizjes ZNAM – Për Maqedoninë Tonë, Hristijan Mickoski dhe Maksim Dimitrievski. Sipas tij, në qendër të bisedimeve do të jetë rindërtimi i paralajmëruar i ekzekutivit.
Të lidhura
None found
Minçev theksoi se partia e tij ka bërë vlerësimin e të gjithë funksionarëve të saj dhe ka shqyrtuar punën që ata kanë kryer deri tani.
“Qëndrimi ynë në këtë moment është se dy ministrat tanë dhe të gjithë zyrtarët e tjerë po e bëjnë punën e tyre me zell dhe mirë. Në këtë punë, nuk ka rëndësi nëse ju pëlqen dikush apo jo, por nëse ai jep rezultate apo jo”, u shpreh Minçev në emisionin “Samo Intervju”.
Më tej, ai nënvizoi se si ai vetë, ashtu edhe Igor Filkov nga Ministria e Drejtësisë, po realizojnë një punë të shkëlqyer. Sipas Minçevit, pikërisht kjo ishte edhe ajo që tha fillimisht Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, gjatë konferencës për shtyp në vizitën e tij të fundit në Shkup.
I pyetur për raportin mes kryeministrit Mickoski dhe Dimitrievskit, në dritën e spekulimeve për një përplasje të madhe mes tyre, përfaqësuesi i ZNAM iu referua një shprehjeje të ish-kryeministrit dhe ish-kryetarit të LSDM-së, Branko Crvenkovski.
“Le të përgjigjem kësaj pyetjeje me një slogan që ishte për një referendum për organizimin territorial: “Disa pyetje nuk meritojnë përgjigje”, tha ministri./Telegrafi
