Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, deklaroi se çmimi i karburantit dizel do të ishte 11 deri në 11.5 denarë më i lartë për litër nëse Qeveria nuk do të kishte ndërhyrë me uljen e tatimit mbi vlerën e shtuar.
Të lidhura
None found
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai kujtoi se përveç këtij vendimi, më herët janë ndërmarrë edhe masa për uljen e akcizës. Sipas tij, pa këto ndërhyrje, një litër dizel do të kushtonte rreth 11–11.5 denarë më shumë se çmimi aktual.
Mickoski tha se në pikat e karburantit në vend shiten më shumë se 2 milionë litra karburant, një rritje që, sipas tij, është veçanërisht e dukshme në zonat veriore, perëndimore dhe jugore, ku furnizohen edhe qytetarë që vijnë nga Greqia, Shqipëria dhe Serbia.
Meqë rreth 70 për qind e sasisë së shitur përbëhet nga dizeli, konsumi ditor llogaritet në rreth 1 milion e 400 mijë deri në 1 milion e 500 mijë litra. Nga kjo, kryeministri përllogarit se kursimi ditor i qytetarëve të Maqedonisë së Veriut është mbi 250.000 euro.
Sipas tij, në një periudhë prej afërsisht dy javësh, duke përfshirë edhe uljen e miratuar të doganës, përkatësisht akcizës për benzinën pa plumb me 95 dhe 98 oktanë, kursimi arrin në 4.2 deri në 4.5 milionë euro. Mickoski e cilësoi këtë si kursim të drejtpërdrejtë për qytetarët.
Ai shtoi se ndikimi i tërthortë i këtyre masave shihet edhe te norma e ulët e inflacionit. Mickoski theksoi se gjatë korrikut dhe gushtit, në kulmin e krizës më të madhe energjetike botërore që kujton njerëzimi, vendi ka regjistruar një nga normat më të ulëta të inflacionit, dukshëm nën nivelin e Bashkimit Evropian.
Në rajon, Maqedonia e Veriut renditet ndër vendet me inflacionin më të ulët. Sipas Mickoskit, vetëm Serbia, fqinji verior i vendit, ka një normë rreth 0.3–0.2 për qind më të ulët.
Kryeministri nënvizoi gjithashtu se Maqedonia e Veriut aktualisht ka çmimet më të ulëta për karburantin dizel dhe benzinën pa plumb me 95 dhe 98 oktanë. Në krahasim me vendet fqinje dhe madje edhe me disa vende evropiane, diferenca e çmimeve, sipas tij, varion nga 20 deri në 50 për qind./Telegrafi/
