Mickoski në VLEN, caktohet agjenda bashkëqeverisëse 4 vjeçare

Koalicioniet VLEN dhe “Maqedonia jote” në një takim në shtabin qendror të koalicionit VLEN, kanë diskutuar për parimet e qeverisë së re reformuese 4 vjeçare.

Ndërsa ditët e fundit opinioni u pushtua nga zëra e dërgimit të emisarëve të BDI-së tek VMRO-ja, Mickoski ka zbritur sot në shatbin e VLEN, për të shprehur në mënyrë të qartë bashkëpunimin e ri, ku u prit nga njëri nga liderët e VLEN, Arben Taravari.

Alsat mëson se lufta kundër krimit dhe korrupsionit, përfshi ata që kanë qëndruar duarkryq me mosndëshkueshmërinë, si dhe orientimin strategjik drejt BE-së janë dy pikat kryesore të marrëveshjes politike.

Ndërsa kanë ngelur edhe disa orë nga heshtja zgjedhore, Koalicionet VLEN dhe ai i kryesuar nga VMRO DPMNE kanë kristalizuar parimet e qeverisjes së ardhshme.

Marrëveshja, pa tone të bujshme, atribuohet me këtë fotografi, një vizitë e kreut të koalicionit “Maqedonia jote” Hristijan Mickoski në shtabin e VLEN në sheshin “Skënderbeu”.

Siç mësuam nga të dy kampet politike, marrëveshja parimore e bashkëqeverisjes së ardhshme për të cilën është rënë dakord, ka betonuar orientimin strategjik të vendit drejt BE-së.

Poashtu shtylla e dytë e fuqishme ku bazohet qeverisja e re është lufta e pa kompromise që do t’i shpallet krimit dhe korrupsionit, duke kërkuar mbajtjen përgjegjës jo vetëm të njerëzve të përfshirë në veprimtari kriminale e korruptive, por edhe të atyre që kanë ndihmuar në mosndëshkueshmërinë e këtyre veprave.

Në rrafshin ekonomiko-social, mësojmë që është diskutuar lidhur me zhvillimin e barabartë rajonal me fokus të veçantë në rritjen e standardit jetësor si dhe mirëqenies ekonomike, sociale e politike të qytetarëve. /Alsat.mk


Shtuar 6.05.2024 20:41