Fondi i Pensioneve dhe Sigurimit Invalidor transferon çdo vit rreth 13,7 miliardë denarë, shumë kjo që tejkalon 220 milionë euro, drejt Fondit të Sigurimit Shëndetësor për të mbuluar shpenzimet shëndetësore të pensionistëve, bëri të ditur drejtori i fondit, Nikolla Memov.
Të lidhura
None found
Memov vlerëson se kjo mënyrë financimi duhet të rishikohet dhe që në të ardhmen shpenzimet të mos mbulohen më nga kontributet pensionale të punonjësve aktualë.
Aktualisht, për sigurimin shëndetësor të pensionistëve përdoret 11,8% e pensioneve neto. Deri më 31 dhjetor 2025, kjo normë ishte 13%, sqaroi drejtori i Fondit Pensional.
“Në nivel vjetor, kjo shumë arrin në 13,7 miliardë denarë, pra mbi 220 milionë euro”, deklaroi Memov.
Sipas tij, këto mjete sigurohen përmes kontributeve të sigurimit pensional të paguara nga të punësuarit, çka krijon një ngarkesë shtesë për fondin.
“Duhet të ketë ndryshim dhe të gjendet një mënyrë tjetër për financimin e sigurimit shëndetësor të pensionistëve, jo siç është tani – nga kontributet e sigurimit pensional”, shtoi ai.
Sistemi pensional në Maqedoni bazohet në solidaritetin ndër-gjeneracional, ku kontributet e punonjësve përdoren për financimin e të drejtave të pensionistëve aktualë. Kontributi për sigurimin pensional dhe invalidor është 18% e pagës bruto, ndërsa për personat e përfshirë në sistemin me dy shtylla, gjashtë pikë përqindje transferohen në shtyllën e dytë.
Propozimi i Memovit nuk synon të ulë koston e sigurimit shëndetësor për pensionistët, por të ndryshojë burimin nga i cili financohet kjo kosto.
Një ndryshim i tillë do të mundësonte që një pjesë e fondeve të mbetej në fondin pensional. Megjithatë, Memov nuk ka përcaktuar ende se cili do të ishte burimi alternativ për sigurimin e këtyre 220 milionë eurove.
