Forumi Rinor Shqiptar ka bërë të ditur se të martën, më 15 shtator, në Shkup do të mbahet një marshim në shenjë mbështetjeje për ish-krerët e UÇK-së, pak para shpalljes së aktgjykimit në Hagë.
Të lidhura
None found
Aktiviteti do të nisë në orën 18:00 në sheshin “Skënderbej”, sipas njoftimit të organizatorëve.
Marshimi është prezantuar si një aktivitet sensibilizues me moton “Liri për çlirimtarët”, përmes të cilit synohet të shprehet solidariteti me ish-krerët e UÇK-së që ndodhen në Hagë, në pritje të verdiktit përfundimtar.
Forumi ka ftuar të gjithë shqiptarët t’i bashkohen tubimit, me qëllim përcjelljen e një mesazhi në mbështetje të lirimit të katërshes së UÇK-së.
Në njoftim thuhet se pjesëmarrësit do t’i dërgojnë gjykatës mesazhin se ata që shërbyen për lirinë nën emblemën e UÇK-së nuk mund të gjykohen nga asnjë gjykatë, pasi UÇK-ja është e pastër. Organizatorët kanë theksuar se nga Shkupi do të përcillet një zë i fuqishëm solidariteti dhe përkrahjeje.
Sipas tyre, UÇK-ja përbën pjesë të historisë dhe lirisë së shqiptarëve, ndërsa luftëtarët e lirisë meritojnë drejtësi. /Klankosova.tv
