Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut ka vendosur të pezullojë përkohësisht imunizimin me vaksinën BCG, pas raportimeve në mediat kroate për shfaqjen e reaksioneve të padëshiruara. Komisioni për Imunizim ka kërkuar nga Agjencia për Barna dhe Pajisje Mjekësore (MALMED) të dhëna mbi seritë e vaksinës që përdoren në vend, pasi ajo vjen nga i njëjti prodhues.
Të lidhura
None found
Edhe pse vaksinimi BCG është i detyrueshëm në vend, masa do të qëndrojë në fuqi deri në verifikimin e plotë të serive, cilësisë së produktit dhe lidhjes së mundshme me reaksionet e raportuara. Sipas Ministrisë, Maqedonia e Veriut klasifikohet si zonë me rrezik të lartë për tuberkuloz, ndaj imunizimi me këtë vaksinë është pjesë e detyrimeve shëndetësore.
Në njoftimin zyrtar thuhet se aktualisht në Institutin për TBC po trajtohen 95 pacientë me tuberkulozë. Prej tyre, 83 raste janë regjistruar gjatë këtij viti. Ndërkohë, në Spitalin e Fëmijëve „Kozle“ janë evidentuar 15 raste në vitin 2025 dhe 12 raste të reja në vitin 2026.
Vendimi u mor pasi Komisioni për Imunizim u mblodh menjëherë pas publikimit të informacioneve nga Kroacia. Duke qenë se vaksina prodhohet nga e njëjta kompani, MALMED-it iu kërkua të sqarojë se cilat seri përdoren në Maqedoninë e Veriut dhe nëse ato kanë ndonjë lidhje me rastet e raportuara jashtë vendit.
Ministria bëri të ditur gjithashtu se gjatë dhjetë viteve të fundit MALMED ka marrë vetëm një raportim për një reaksion të dyshuar pas vaksinimit me BCG. Rasti është regjistruar në gusht të vitit 2022 dhe kishte të bënte me shfaqjen e një abscesi në vendin ku ishte aplikuar vaksina. Sipas autoriteteve, ky efekt përfshihet në udhëzimin për përdorimin e vaksinës.
Në Kroaci, përdorimi i vaksinës BCG te të porsalindurit është ndërprerë përkohësisht pas raportimit të katër rasteve të rralla të inflamacionit të kockave, të dyshuara si reaksione të padëshiruara pas imunizimit.
Të katër fëmijët e prekur ishin vaksinuar gjatë vitit 2024 dhe në fillim të vitit 2025 me një produkt të të njëjtit prodhues bullgar. Për rrjedhojë, autoritetet kroate kanë ndaluar shpërndarjen dhe përdorimin e të gjitha serive të vaksinës së prodhuar nga kjo kompani.
