LSM-ja kërkon shkarkimin e drejtorit të Ujësjellësit, pas punësimit “me mik”

Punonjësit e Ndërmarrjes Publike Ujësjellësi dhe Kanalizimi – Shkup, në mënyrë të paligjshme janë caktuar në vende pune që nuk përputhen me profesionin e tyre. Për shkak të kësaj shkeljeje të të drejtave të punëtorëve, kryetari i LSM-së Darko Dimovski, kërkoi shkarkimin e ushtruesit të detyrës, drejtor i Ujësjellësit, Marjançe Mitovski. Dimovski thekson, se Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Inspektorati Shtetëror Administrativ, i kanë konfirmuar akuzat e LSM-së. Sindikalistët tani kërkojnë llogari.

“Ai na dërgon si hidro inxhinierë, që të rrimë nëpër shtëpiza për roje, shoferët e mjeteve speciale nuk mund të rrinë në bazë, dhe të mos bëjnë asgjë, sepse ushtruesit të detyrës drejtor, nuk i pëlqejnë. Ne si sindikatë përfaqësuese për aktivitetet komunale, nuk do ta lejojmë këtë”, tha Darko Dimovski, kryetar I LSM-së.

Sindikalistët paralajmërojnë se nëse nuk shkarkohet u.d. drejtori Mitovski, punëtorët mund të bëjnë grevë, dhe të vihet në pikëpyetje sigurimi i ujit të pijshëm për qytetarët. Gjithashtu sindikata fajëson mesazhet kërcënuese, që disa prej punonjësve kanë marrë nga drejtori. Mitovski u emërua drejtor i Ujësjellësit, me propozim të kryetares së Qytetit Arsovska, edhe atë pas konfliktit me VMRO DPMNE-në, dhe ndërrimin e stafit të tyre, Zllatko Perinski, për paligjshmëritë në ndërtimin e stacionit të filtrimit në Shkup./Alsat.mk


Shtuar 21.10.2022 21:55