Sipas LSDM-së, Mickoski nuk ka asnjë arritje konkrete pas vetes, prandaj sot po përgatit një shfaqje të re politike.
Të lidhura
None found
“Bëhet fjalë për të njëjtin kabinet me një rregullim të ri, një ndryshim thjesht kozmetik i pozicioneve brenda së njëjtës strukturë kriminale. Disa ministra zhvendosen, futen disa fytyra të reja, por departamentet kryesore dhe qendra e vërtetë e pushtetit qëndrojnë në duart e Hristijan Mickoskit.
Ky rikonstruim nuk prek politikat, nuk i ndreq gabimet dhe nuk merr asnjë lloj përgjegjësie. Thjesht ndërrohen vendet, ndërkohë që po ata individë vijojnë të drejtojnë fatet e vendit. Vetë akti i rikonstruimit përbën një pranim të heshtur se Qeveria nuk ka arritur të sjellë rezultate.
Qytetarëve nuk do t’u sillen rroga më të larta, çmime më të ulëta, shërbime shëndetësore më cilësore, arsim më të mirë apo një rrugë më të shpejtë drejt Evropës. Ata do të përftojnë veçse një përqendrim edhe më të theksuar të pushtetit në duart e Mickoskit dhe vazhdimin e po atyre politikave të gabuara e kriminale.
Në një situatë ku ekonomia ka ngecur, qytetarët përballen me vështirësi gjithnjë e më të mëdha, çmimet janë në rritje, rruga evropiane është bllokuar dhe Qeveria nuk ka përgjigje për asnjë problem thelbësor, Mickoski orvatet të shmangë vëmendjen nga dështimi i tij përmes këtij rikonstruimi.
Ministritë e Brendshme, Mbrojtjes, Financave, Punëve të Jashtme dhe Arsimit vijojnë të qëndrojnë në të njëjtat duar. Thjesht rrotullohen karriget për të krijuar iluzionin se diçka po lëviz”, deklarojnë nga LSDM./Telegrafi/
