LSDM ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Hristijan Mickoski pas vizitës në Shkup të Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Partia opozitare e pyet atë se përse vazhdon të shfaqet i pakënaqur, kur nga Brukseli u përsërit garancia se Maqedonia do t’i bashkohet Bashkimit Evropian duke ruajtur gjuhën dhe identitetin e saj.
Të lidhura
None found
“Çfarë ndodh tani, Mickoski? A të shqetëson fakti që identiteti është ruajtur?”, deklaron LSDM.
Sipas opozitës, Mickoski fillimisht e cilësoi takimin me Von der Leyen si vendimtar, ndërsa më vonë tha se nuk ishte i kënaqur me mesazhet që lidhen me ndryshimet kushtetuese.
LSDM nënvizon se Von der Leyen e bëri të qartë se ndryshimi i Kushtetutës vazhdon të jetë pjesë e diskutimit, por njëkohësisht siguroi se Evropa e pret Maqedoninë me identitetin dhe gjuhën e saj. “Kjo është pikërisht fjalia që Mickoski e paraqiti si tradhti”, shprehet partia.
Opozita e akuzon kryeministrin se, para se të vinte në pushtet, mbante një qëndrim tjetër ndaj Marrëveshjes së Prespës dhe çështjes së emrit. LSDM kujton se në atë periudhë ai premtonte anulimin e marrëveshjes dhe rikthimin e emrit të vjetër.
“Marrëveshja e Prespës tani qenka bërë një kryevepër. Siljanovska tha se gjuha, kultura dhe identiteti maqedonas mbrohen prej saj. Tashmë këtë po ia thotë drejtpërdrejt edhe Presidentja e Komisionit Evropian, por ai sërish është i pakënaqur”, deklaron LSDM.
Partia opozitare vlerëson se shqetësimi i Mickoskit nuk lidhet me mbrojtjen e identitetit maqedonas, por me faktin që kushtet për vijimin e procesit të integrimit evropian mbeten ende të pranishme.
“Pakënaqësia e tij vjen sepse iu rrëzua gënjeshtra, jo sepse dikush po ndërhyn në identitetin maqedonas”, thotë LSDM.
LSDM thekson se për avancimin e vendit në rrugën evropiane mbeten të nevojshme ndryshimet kushtetuese dhe reformat, së bashku me çështjet që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe prokurorinë.
Partia shton se mesazhet e përcjella nga Von der Leyen gjatë qëndrimit të saj në Shkup janë të njëjta me ato që LSDM kishte bërë publike para zgjedhjeve.
