LSDM ka reaguar përmes një komunikate për media ndaj deklaratave të ndryshme të zyrtarëve të Qeverisë lidhur me cilësinë e ujit në Gostivar. Sipas kësaj partie, Klekovski ka bërë të ditur se uji pritet të jetë i sigurt për t’u pirë deri në fund të javës, ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se në ujë janë zbuluar “baktere të reja”.
Të lidhura
None found
“Secili po paraqet versionin e vet të ngjarjes, ndërsa qytetarët kanë mbetur të hutuar dhe nuk dinë si të veprojnë. Mbi 4,000 njerëz janë helmuar në Gostivar, ndërsa Qeveria e Mickoskit ende nuk ka publikuar asnjë dokument për ujin. Pse nuk publikohet një dokument? Nuk ka dokumente, analiza, nënshkrime apo miratim”, thuhet në reagimin e LSDM-së.
Partia opozitare pyet se si mund t’u kërkohet qytetarëve të kenë besim kur mungon raporti zyrtar, personi që e ka nënshkruar dhe autoriteti që ka miratuar përdorimin teknik të ujit. Sipas LSDM-së, deklaratat e Mickoskit dhe Klekovskit nuk janë të besueshme, pasi ata “gënjejnë shumë”.
LSDM pretendon gjithashtu se rezultatet janë fshehur dhe se kjo ka sjellë mbi 4,000 infeksione, si dhe shpërthimin e një epidemie të verdhëzës në Gostivar. Në reagim kritikohet edhe angazhimi i Ministrit të Policisë në çështjen e furnizimit me ujë dhe hiperklorinimit, duke u vlerësuar se ai nuk ka njohuritë apo ekspertizën e nevojshme për këtë fushë.
“Cili institucion u garanton qytetarëve ujë të pastër teknik? Në emër të qytetarëve të Maqedonisë dhe Gostivarit, kërkojmë që sot të publikohen raportet për ujin në Gostivar. Qytetarët kërkojnë vetëm diçka të thjeshtë: ujë të pastër dhe emrin e personit që garanton se ai është i pastër”, deklarojnë nga LSDM./Telegrafi/
