Mbi 1.000 artikuj të kontrabanduar janë zbuluar gjatë kontrollit të një automjeti në rajonin e fshatit Likovë, ndërsa drejtuesi i tij, S.S. (36) nga fshati Goshincë, është ndaluar nga policia.
Të lidhura
None found
Sipas njoftimit të MPB-së, ngjarja ka ndodhur më 17.09.2026, rreth orës 19:50. Nëpunësit policorë të SP për KF dhe MK Bellanocë, në kuadër të QRÇK Veri, e kanë privuar nga liria 36-vjeçarin, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “kontrabandë”, të paraparë në nenin 278 të Kodit Penal.
Policia i kishte dhënë shenjë ndalimi automjetit transportues “Mercedes Sprinter”, i cili drejtohej nga S.S., por ai nuk kishte respektuar urdhrin dhe kishte vazhduar në drejtim të fshatit Otël. Pas ndërhyrjes së nëpunësve policorë, automjeti është ndaluar.
Kontrolli ka nxjerrë në pah 320 copë tekstile, 28 palë këpucë, 350 copë mallra teknike, 78 copë barna, 76 copë produkte kozmetike, gjashtë pjesë për automjete dhe 377 copë mallra të tjera. Për këto produkte nuk është paraqitur dokumentacioni përkatës.
Rasti i është komunikuar prokurorit publik të PThP Kumanovë. Nga MPB bëjnë të ditur se, pas përfundimit të dokumentimit të plotë, ndaj S.S. do të dorëzohet kallëzim penal përkatës./Telegrafi/
