Në nivel politik flitet për ndryshime kushtetuese, tha sot kryeministri Dimitar Kovaçevski, pasi paraprakisht u paralajmëruan konsultime më të shpeshta për këtë çështje pas festave të fundvitit. Sipas tij, tani nuk ka më vend për mbështetje deklarative për Bashkimin Evropian dhe procesi duhet të ndalet, i cili në të kundërt do të çonte në bllokim të brendshëm të integrimit evropian.
“Për momentin nuk është planifikuar takim i ri liderësh, por nuk e përjashtoj një mundësi të tillë, ku do të mund të diskutojmë sërish për çështjet më të rëndësishme. Për dhjetë muaj mund të bëhen shumë gjëra pozitive dhe sigurisht që të gjithë duhet të jenë të përgjegjshëm, të jenë në lartësinë e detyrës dhe detyrimit që kanë para qytetarëve dhe shtetit”, tha Dimitar Kovaçevski – kryetar i Qeverisë.
Për dallim nga Kovaçevski, i cili është optimist se ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, me të cilat do të hapen kapitujt e negociatave, mund të miratohen deri në nëntor, lideri i opozitës mendon se kjo nuk do të ndodhë me përbërjen aktuale parlamentare. Hristijan Mickoski tha se qeveria nuk do ta ketë mbështetjen e 80 deputetëve për ndryshimet kushtetuese dhe as se do të arrijë ta ruajë shumicën në Kuvend.
“Do të duhet të presim disa muaj që këta deputetë që vijnë nga grupi parlamentar i LSDM-së dhe BDI-së ta mbështesin shpërbërjen e Kuvendit dhe ndryshimin e Qeverisë“, u shpreh Hristijan Mickoski – kryetar i VMRO-DPMNE-së
Mickoski paraprakisht theksoi se deri në fund të këtij muaji do të marrin guximin deputetët e shumicës parlamentare që t’i votojnë mosbesim Qeverisë. Nga LSDM-ja, nga ana tjetër, theksuan se këto janë vetëm përralla nga opozita. Ndërkohë, nuk ka diskutime thelbësore për ndryshimet kushtetuese. Herën e fundit që është diskutuar për këtë temë ka qenë në një mbledhje të thirrur nga kryeparlamentari Xhaferi, në të cilën kanë qenë të ftuar kryetarët e të gjitha partive parlamentare, por që ka përfunduar pa konkluzione konkrete. /Alsat.mk