Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, njoftoi se do ta ftojë liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, në një takim në dhjetë ditët e ardhshme, ku do të diskutohet për nxjerrjen e mësimeve për integrimin e Maqedonisë së Veriut dhe harmonizimin e pikëpamjeve për marrëdhëniet me vendet fqinje. Kreu i Qeverisë theksoi se pret që të hënën propozim-iniciativa nga grupi punues për ndryshimet kushtetuese të jetë në arkivin e Qeverisë dhe më pas të diskutohet në seancë qeveritare.
“Kryetari i opozitës tha se ne do të ishim bërë shtet binacional, pastaj trenacional, pastaj shtet i një populli, i disa kombeve dhe bashkësive dhe në fund doli që në fakt grupi i punës kishte bërë një propozim që ishte praktikisht në përputhje me konkluzionet e Kuvendit. Qëllimi është që shteti të vazhdojë të përmbushë qëllimin e dytë strategjik pas anëtarësimit në NATO, që është anëtarësimi në BE, që nuk është proces i një personi dhe një partie, por i të gjitha partive politike dhe të gjithë qytetarëve”, tha Kovaçevski.
Kovaçevski është pyetur nëse partitë shqiptare do ta mbështesin propozimin duke pasur parasysh kërkesën e tyre për fshirjen e “20 përqindit” nga Kushtetuta dhe shkrimin në gjuhën shqipe. Kovaçevski tha se mesazhe shumë të qarta kanë ardhur nga përfaqësuesit e BE-së dhe se beson se jo vetëm partitë shqiptare, por edhe të gjitha partitë në Parlament do ta mbështesin propozimin. /SHENJA