Koalicioni i BDI i dyti në zgjedhjet e Maqedonisë, Ali Ahmeti: Krenar që jemi forca e dytë politike

Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka falenderuar qytetarët që morën pjesë në këtë cikël zgjedhor dhe theksoi se Fronti Evropian është forca e dytë politke në vend dhe se nga këto zgjedhje do të dale me 19 mandate.

Ahmeti  tha se BDI-ja oponent në këto zgjedhje kishte VMRO-në dhe jo VLEN-in, sepse sipas tij VMRO-ja ka ndihmuar VLEN-in.

“Zgjedhjet kaluan me standarde të pranueshme, është një provim i shtetit i institucioneve për organizimin e zgjedhjeve të lira demokrhtike, standard të cilin duhet akoma, sepse ne tanimë jemi në prag të anëtarësimit në BE. Do doja të falënderoj të gjithë votuesit e Frontit, të gjithë aktivistët dhe shefat e shtabeve të cilët kanë bërë punën më të madhe e të shkëlqyeshme që ne të dalim fitimtar e krenar. Të gjithë këta aktivist na kanë bërë krenar sepse jemi forca e dytë politike. Fronti Evropian është në një dallim me oponentin, ne oponent kemi pas VMRO-në sepse VMRO_ja ka ndihmuar VLENIN, por dallimi është mbi 30 mijë vota. Kjo do të thotë që shqiptarët, turqit, boshnjakët, romët të cilët kanë vepruar në kuadër të frontit janë për anëtarësim të pa-kompromis të vendit në BE”, tha Ahmeti.

Në bazë të numrimit të deritanishëm të votave, VMRO del të jetë partia e parë me 42.75% e cila pritet të ketë 59 mandate në Kuvend.

E dyta pritet të jetë koalicioni Fronti Evropian me 14.42%, e cila pritet të ketë 19 ulëse në Kuvend.

Pas saj është koalicioni VLEN me 11.38% dhe pritet të ketë 13 ulëse në Kuvend.


Shtuar 9.05.2024 10:13