Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, bëri të ditur sot në një konferencë për shtyp se nesër nis viti i ri shkollor 2026-2027 për 238 mijë nxënës të arsimit fillor dhe të mesëm. Procesi mësimor do të vazhdojë deri më 10 qershor, kurse maturantët do ta përfundojnë më 17 maj.
Të lidhura
None found
Nga numri i përgjithshëm i nxënësve që nisin vitin shkollor, 174 mijë janë filloristë dhe 64 mijë gjimnazistë. Në klasën e parë janë regjistruar 14.952 nxënës të rinj.
Mungesa e nxënësve ka sjellë mbylljen e përkohshme të 26 shkollave të vogla, ndërsa optimizimi i rrjetit arsimor ka rezultuar me shuarjen e 433 paraleleve.
Janevska sqaroi se paralelet janë bashkuar dhe, si rrjedhojë, këtë vit sistemi arsimor do të ketë 433 të tilla më pak. Prej tyre, 222 janë në arsimin fillor dhe 211 në arsimin e mesëm. Ajo theksoi se nga puna nuk është larguar asnjë mësues me marrëdhënie të rregullt pune.
Sipas ministres, tekstet për vitin e ri shkollor janë siguruar dhe kanë mbërritur në shkolla brenda afatit.
Ajo deklaroi se ky është viti i tretë radhazi kur tekstet sigurohen në kohë dhe në tirazhin e kërkuar nga shkollat, ndaj ato mund t’u shpërndahen nxënësve që nesër. Janevska tha se furnizimi me tekste nuk përbën më një sfidë si më parë. Gjatë këtij viti janë siguruar 622 mijë tekste shkollore, ndërsa janë kursyer 50 milionë denarë në krahasim me vitin para se ajo të merrte drejtimin e institucionit.
Tekste tërësisht të reja janë përgatitur për nxënësit e klasave të para, të dyta, të treta dhe të teta, si dhe për vitin e dytë të arsimit gjimnazist.
Mësimi me një turn është vendosur këtë vit në 620 prej gjithsej 1.023 objekteve shkollore. Ndërkohë, po punohet për zgjerimin e kapaciteteve në 14 shkolla në Shkup dhe Gradsko.
Për nxënësit me nevoja të veçanta arsimore janë angazhuar 1.358 asistentë në shkollat fillore dhe 166 të tjerë në shkollat e mesme.
Janevska paralajmëroi gjithashtu se në mars 2027 punonjësit e arsimit do të përfitojnë një rritje tjetër page, e cila do të jetë nga 7,5 deri në 10 për qind, në varësi të nivelit të inflacionit.
