Festivali Folklorik Maqedonas u zhvillua ditën e djeshme në Bashkinë e Pustecit, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Të lidhura
None found
Gjatë ceremonisë u ekzekutua vetëm himni i Maqedonisë së Veriut, ndërsa himni i Shqipërisë nuk u përfshi në program.
Kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, kërkoi ndjesë për këtë situatë dhe deklaroi se institucioni që drejton nuk kishte organizuar aktivitetin, por ishte vetëm i ftuar.
Kolefski tha se, përpara zhvillimit të festivalit, u kishte kërkuar organizatorëve, konkretisht kryetarit të shoqatës së VMRO-së në Shqipëri, programin zyrtar të ceremonisë. Sipas tij, përgjigjja kishte qenë se aktiviteti do të përmbante këngë dhe valle tradicionale maqedonase dhe do të niste me himnin maqedonas.
“Të them të drejtën, para se të zhvillohej ky aktivitet, kam kërkuar nga organizatorët, konkretisht nga kryetari i shoqatës së VMRO-së në Shqipëri, programin zyrtar. Më kanë thënë se do të kishte këngë dhe valle tradicionale maqedonase dhe se aktiviteti do të hapej me himnin maqedonas”, u shpreh ai.
Kryebashkiaku shtoi se kishte kërkuar që krahas himnit maqedonas të luhej edhe himni shqiptar, duke theksuar se kjo është e domosdoshme në çdo pritje apo ceremoni zyrtare. “Ne jemi shtetas shqiptarë, jetojmë këtu dhe duhet të respektohet himni”, deklaroi Kolefski.
