Maqedonia e Veriut është një nga 42 shtetet dhe territoret që Greqia i ka klasifikuar si vende me “regjim tatimor të privilegjuar” për vitin tatimor 2024. Në këtë kategori hyjnë shtetet ku personat juridikë tatohen me një normë më të ulët sesa norma që do t’u zbatohej po të ishin rezidentë tatimorë ose të ushtronin veprimtari të përhershme biznesi në Greqi.
Të lidhura
None found
Siç informoi MIA, vendimi ministror me titull “Përcaktimi i shteteve që kanë regjim tatimor të privilegjuar, në bazë të dispozitave të paragrafëve 6 dhe 7 të nenit 65 të Ligjit 4172/2013, për vitin tatimor 2024” është botuar në Gazetën Zyrtare të Greqisë. Dokumenti mban firmat e ministrit dhe zëvendësministrit të Ekonomisë Kombëtare dhe Financave, Kirjakos Pierakakis dhe Dimitris Markopulos.
Në vendimin e Ministrisë greke përcaktohet se një shtet konsiderohet me “regjim tatimor të privilegjuar” kur “personi juridik ose subjekti juridik i nënshtrohet tatimit mbi fitimin, të ardhurat ose kapitalin, norma tatimore e të cilit është e barabartë ose më e ulët se 60 për qind e normës tatimore të personave juridikë dhe subjekteve juridike që do të duhej të paguanin sipas legjislacionit tatimor grek”, në rast se do të kishin rezidencë tatimore ose aktivitet të përhershëm biznesi në Greqi.
Mbi bazën e këtij përcaktimi, lista e hartuar nga autoritetet greke për vitin tatimor 2024 përmban gjithsej 42 shtete dhe territore.
Përveç Maqedonisë së Veriut, mes vendeve evropiane të përfshira janë Shqipëria, Andorra, Bullgaria, Qiproja, Kosova, Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi, Monako, Hungaria, Irlanda, Lihtenshtajni dhe Moldavia.
