Qeveria vendosi sot, gjatë mbledhjes së saj të 195-të, të shpallë gjendje krize në Komunën e Gostivarit për një periudhë 30-ditore.
Të lidhura
None found
Vendimi u mor me propozim të Komitetit Drejtues, në përbërje të të cilit janë ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, si dhe drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov.
Në Komitet marrin pjesë edhe anëtarët e jashtëm: ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Borçe Serafimovski, drejtori i SHPPP-së, Ivica Tomovski, drejtoresha e Institutit për Shëndet Publik, Marija Andonovska, drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Oliver Millanov, drejtoresha e Inspektoratit të Mjedisit Jetësor, Ivana Ginovska, si dhe kryetari i BNJVL-së dhe kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.
Sipas njoftimit qeveritar, ky hap u ndërmor pasi pushteti lokal nuk ka mundësi ta menaxhojë situatën e krijuar në Komunën e Gostivarit. Shpallja e gjendjes së krizës synon të përshpejtojë bashkërendimin ndërmjet institucioneve, të mundësojë funksionimin e sistemit të furnizimit me ujë dhe të sigurojë ujë të pijshëm sa më shpejt që të jetë e mundur.
Qeveria theksoi se mbrojtja e shëndetit të banorëve të Komunës së Gostivarit vazhdon të jetë përparësi dhe se mbetet e angazhuar për zgjidhjen e plotë të problemit.
Njëherësh, nga Prokuroria Publike pritet të kryejë një hetim të hollësishëm dhe të sqarojë tërësisht rastin. Në njoftim thuhet se përgjegjësi duhet të mbajë secili që ka rrezikuar shëndetin dhe jetën e qytetarëve të Gostivarit.
