Ish-kryeministri Lubço Georgievski, i cili drejtoi Qeverinë gjatë konfliktit të vitit 2001, ka treguar për herë të parë nëse në atë periudhë ekzistonte një plan për ndarjen e Maqedonisë. Kjo çështje është përmendur disa herë nga Ali Ahmeti, kreu i BDI-së dhe ish-drejtuesi politik i UÇK-së, përcjell INA.
Të lidhura
None found
Në një intervistë të dhënë ditët e fundit për TV24, Georgievski tha se drejtuesit e Akademisë së Shkencave dhe Arteve Maqedonase (ASHAM) i kishin paraqitur një plan të njohur si “famoz”, të cilin më pas e kishte diskutuar me udhëheqjen shtetërore. Sipas tij, për idenë ishte vënë në dijeni edhe Arbën Xhaferi, në atë kohë kryetar i PDSH-së dhe pjesë e Qeverisë, i cili, siç nënkuptohet, më pas kishte informuar edhe UÇK-në.
Në vijim është deklarata e plotë e ish-kryeministrit Lupço Georgievski:
“Për planin famoz dëgjova fillimisht nga akademikët Gjorgji Stradellov, Bllazhe Ristevski dhe Gjorgji Efremov, i cili ishte kryetar. Pavarësisht kësaj, më vonë u ulëm si udhëheqje shtetërore unë, Stojan Andov dhe presidenti Boris Trajkovski, duke arritur në të njëjtin përfundim: nëse nuk duan të jetojnë me ne, atëherë të ndahemi. Këtë ide e kemi diskutuar. Boris Trajkovski ua bëri të ditur atë ndërkombëtarëve, por edhe mediave. Arsyetimi ishte fare i thjeshtë: përse të luftojmë dhe të vritemi nëse nuk duan të jetojmë së bashku; në atë rast, të ndahemi. Në atë kohë e informova Arbën Xhaferin dhe ai më kërkoi t’i jepja një javë, 10 ditë kohë. Më pas më njoftoi se propozimi nuk përkrahej dhe se nuk e dëshironin. Nuk më tregoi se kush nuk e pranonte, nëse bëhej fjalë për ndërkombëtarët apo për ata, duke nënkuptuar UÇK-në. Megjithatë, ndonëse e kundërshtonin planin, nga komunikatat e tyre kuptohej se luftonin për territor”. /INA/
Përgjigja e plotë nis në minutën 1:51:02.
