Një zjarr i rrezikshëm shpërtheu sot pasdite në afërsi të Stacionit të Autobusëve në Veles, por falë mobilizimit të shpejtë të Njësisë Territoriale të Zjarrfikësve (NJTZ) të qytetit, u shmangën humbje më të mëdha materiale.
Të lidhura
None found
Sinjalizimi për ngjarjen mbërriti në orën 13:45, kur u raportua se një veturë ishte përfshirë nga flakët. Me të arritur në vendin e ngjarjes, ekipi i ndërhyrjes konstatoi se zjarri kishte përfshirë fillimisht bimësinë e thatë në hapësirën ndërmjet rrugës dhe parkingut, përpara se të përhapej dhe të dëmtonte së paku gjashtë makina të parkuara aty.
Në operacionin e shuarjes morën pjesë një automjet zjarrfikës dhe tre efektivë. Falë reagimit të tyre të menjëhershëm, ata arritën ta izolonin vatrën e zjarrit dhe të pengonin përhapjen e mëtejshme drejt mjeteve të tjera.
Në vijim të këtij incidenti, NJTZ Veles ripërsëriti apelin e saj drejtuar popullatës, duke i lutur që të shmangin ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura, sidomos në kushtet e temperaturave të larta dhe pranisë së masës së thatë vegjetative.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, zjarrfikësit e Velesit u drejtuan gjithashtu me një paralajmërim të veçantë për bujqit në komunat Veles, Çashkë dhe Gradsko, që të mos praktikojnë djegien e kashtës, si dhe për qytetarët që të mos i vënë flakën barit të thatë. Ata theksuan se sjellje të tilla në të kaluarën kanë provokuar zjarre të shumta me pasoja të rënda për ekosistemin dhe objektet.
Incidenti më i fundit me përmasa të mëdha në zonën e Velesit u shënua më 30 qershor. Atëbotë, një vatër zjarri që u ndez mbi qytet, në zonën e Kryqëzimit të Shtipit dhe Deponisë Komunale, u zgjerua me shpejtësi në disa drejtime, duke prekur lokalitetet “Trite Dola”, “Sabotna Voda” dhe “Sarier”, dhe duke iu afruar rrezikshëm fshatit Mamuçevo.
Pasojat e atij zjarri ishin të konsiderueshme: u shkrumbuan disa hektarë me bar të thatë, vreshta dhe bimësi të ulët, ndërsa dëme u regjistruan edhe në shtëpi pushimi, panele diellore dhe ndërtime të tjera.
