Familjarët e viktimave të aksidentit tragjik në Bullgari të zhgënjyer nga vendimi i kreut të Kuvendit

Familjarët e viktimave të aksidentit të autobusit me shtetas të Maqedonisë së Veriut në Bullgari më 23 nëntorit të vitit kaluar, janë të zhgënjyer nga vendimi i kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi për të mos lejuar shqyrtimin e procedurës hetimore në Komisionin e përhershëm anketues, shkruan Alsat.

Ata thonë se ballafaqohen me mungesë informacioni mbi akuzat dhe procedurat dhe për këtë arsye kërkojnë që Kuvendi të japë më shumë informacione.

“Për këtë arsye edhe reaguam gjithë familjarët sepse ne me të vërtetë kemi problem dhe nuk e prisnim nga deputetë të reagojnë në mënyrë të tillë. Ne kemi vështirësi konkrete, nuk mund të arrijmë në informata. Ju e dini se Prokuroria në Bullgari e ka mbyllur rastin e tragjedisë duke fajësuar shoferin që nga 19 janari. Që atëherë dokumentacioni ndodhet ne Prokurorinë tonë, por neve as nuk e kemi parë dhe as nuk e kemi lexuar”, tha Muhedin Brava, Familjar i njërës nga viktimat e aksidentit.

Kuvendi nga ana tjetër akuzoi opozitën shqiptare për keqpërdorimin e tragjedive të Tetovës dhe atë në Bullgari për qëllime politike.

“Mendoj se është keqpërdorur fatkeqësia e qytetarëve tanë për qëllime politike ditore. Sot e tutje më nuk do të merrem me këto çështje. Unë nuk mund të lejoj që Parlamenti të lejohet në pazar politik. Nëse shkojmë me logjikën me të cilën mendon Halil Snopçe, atëherë në çka do të shndërrohet Parlamenti, 120 deputetë, 21 trupa pune, secili vetes t’i dërgojë materiale në këtë formë, atëherë pse duhet të ekziston Rregullorja?”, thonë nga Kuvendi.

Mbledhja e Komisionit të përhershëm anketues ishte thirrur për 25 mars, ndërsa me kërkesë të kryetarit, Halil Snopçe ishte kërkuar shtyrja e kësaj mbledhje për 5 prill.

Në rend dite ishin tre pika: kërkesa e qytetarit Muhaedin Bela për diskriminim në vendin e punës, pika e dytë kishte të bënte për hetimin në Spitalin Modular të Tetovës dhe pika e tretë për hetimin për aksidentin në Bullgari. / Alsat.mk