Në Forumin Maqedonaso-Indian të Biznesit, të mbajtur sot, ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, deklaroi se Maqedonia e Veriut është e përgatitur të pozicionohet si partnere e besueshme dhe portë strategjike për hyrjen e investimeve indiane në tregun evropian.
Të lidhura
None found
Në këtë forum morën pjesë Presidentja e Republikës së Indisë, Droupadi Murmu, dhe Presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova. Diskutimet u përqendruan kryesisht te thellimi i bashkëpunimit ekonomik dhe ndërtimi i partneriteteve të reja ndërmjet dy shteteve.
Sipas Durmishit, mundësitë për bashkëpunim janë të mëdha në teknologjinë informatike, industrinë farmaceutike dhe atë automobilistike, si dhe në fushën e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, turizmit dhe bujqësisë.
“Në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, angazhimi ynë është zbatimi i reformave për një mjedis biznesi më konkurrues dhe më të parashikueshëm. Thjeshtimi i procedurave administrative dhe sigurimi i kushteve sa më të mira për tërheqjen e investimeve të huaja mbeten prioritetet tona,” deklaroi ministri Durmishi.
Ai nënvizoi gjithashtu se organizimi i forumeve të këtij lloji krijon mundësi të rëndësishme për avancimin e raporteve ekonomike dhe zhvillimin e bashkëpunimeve afatgjata ndërmjet kompanive maqedonase dhe atyre indiane.
Në mbyllje, Durmishi shprehu besimin se Forumi Maqedonaso-Indian i Biznesit do të hapë një kapitull të ri në marrëdhëniet ekonomike, me investime dhe vende pune të reja, si dhe me lidhje tregtare më të fuqishme mes Maqedonisë së Veriut dhe Indisë.
