Dimitrieska-Koçoska: TVSH-ja e reduktuar për naftën zgjatet deri në tetor 2026

Masa për uljen e TVSH-së për naftën do të vijojë të zbatohet deri më 20 tetor 2026. Qeveria ka vendosur të zgjasë reduktimin e normës nga 18 për qind në 10 për qind, me synim kufizimin e rritjes së çmimeve dhe lehtësimin e kostove për qytetarët dhe bizneset.

Të lidhura

None found

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, përmes një postimi në Facebook. Sipas saj, vazhdimi i kësaj politike synon mbështetjen e standardit të jetesës dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë së ekonomisë.

“Qeveria po vijon zbatimin e masave që mbrojnë standardin e jetesës së qytetarëve dhe stabilitetin e ekonomisë vendase. Për këtë arsye, është zgjatur deri më 20 tetor 2026 masa që e ul TVSH-në për naftën nga 18 në 10 për qind. Ky vendim ndikon në çmimet me pakicë të karburanteve dhe ndihmon në zbutjen e presioneve të jashtme të çmimeve, duke reduktuar barrën financiare për qytetarët dhe ekonominë”, shkroi Dimitrieska-Koçoska.

Ministrja shtoi se institucionet përgjegjëse po ndjekin me vëmendje zhvillimet në tregjet ndërkombëtare. Ato, sipas saj, do të ndërmarrin masat e nevojshme në kohën e duhur, në varësi të kushteve ekonomike./Telegrafi/