Marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë u përballën me një tension të ri pasi deputetit bullgar Angel Georgiev iu ndalua hyrja në RMV më 27 shtator. Ai po udhëtonte për të ndjekur gjyqin e shtetases bullgare Iva Mihaila.
Të lidhura
None found
Pas ngjarjes, ambasadorja në detyrë e RMV-së në Sofje, Teodora Tsaneva, u thirr dje në Ministrinë e Jashtme bullgare për të dhënë shpjegime.
Georgiev u tha fillimisht mediave bullgare se nuk i ishte shpjeguar përse nuk mund të vazhdonte udhëtimin. Më vonë, ai i tha Radios Kombëtare Bullgare (BNR) se në kufi ishte njoftuar për disa shpenzime gjyqësore që duhej t’i paguante përpara se të lejohej të hynte në vend.
Sipas deputetit, masa nuk ishte e justifikuar. Ai tha se shpenzimet lidheshin me një procedurë kundër 27 personave të partisë së tij, “Rilindja”, dhe se nuk ishte informuar më parë për detyrimin për t’i paguar. Georgiev njoftoi se do të kërkojë reagim edhe nga institucionet evropiane.
Duke përshkruar atë që ndodhi në kufi, ai tha se u ndalua pa shpjegim dhe vetëm pas rreth një ore e gjysmë iu përmendën shpenzimet ligjore. Sipas tij, autoritetet nuk i sqaruan konkretisht as arsyen, as shumën. Ai shtoi se, sipas informacionit jozyrtar që kanë, bëhet fjalë për një çështje administrative ndaj 27 personave të grupit “Vazrazhdane”, të dyshuar se kishin hyrë ilegalisht në territorin e Maqedonisë së Veriut gjatë udhëtimit për në Kajmakçalan. Georgiev e mohoi këtë pretendim.
Institucionet bullgare po reagojnë përmes kanaleve diplomatike dhe e cilësojnë rastin provokues. Ato theksojnë se Georgiev kishte hyrë disa herë më parë në Maqedoni pa hasur probleme.
Ministria e Jashtme bullgare deklaroi se gjatë takimit me Tsanevën kërkoi të dinte arsyet pse autoritetet në Shkup ndërmorën këtë veprim pikërisht tani, kur Georgiev kishte hyrë pa pengesa në territorin e RMV-së gjatë muajve të mëparshëm për të njëjtin rast. /Telegrafi/
