Monika Zajkova, shefe e Delegacionit të Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së dhe nënkryetare e AP të OSBE-së, së bashku me Boban Karapejovskin, zëvendës-anëtar i Delegacionit, morën pjesë në misionin e AP të OSBE-së për monitorimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kazakistan, të zhvilluara më 23 gusht 2026.
Të lidhura
None found
Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut ndoqi procesin zgjedhor në zona të ndryshme të kryeqytetit Astana dhe në rrethinë. Gjatë vëzhgimit, ekipi vizitoi rreth 12 vendvotime dhe paraqiti raporte të shkruara për konstatimet e tij.
Zgjedhjet u zhvilluan pas referendumit kushtetues në Kazakistan, përmes të cilit u krijua një njësi e vetme zgjedhore në nivel kombëtar, u vendos sistemi proporcional me lista të mbyllura dhe u miratuan edhe një sërë ndryshimesh të tjera.
Misioni i AP të OSBE-së përbëhej nga parlamentarë të vendeve pjesëmarrëse në OSBE, të angazhuar për vëzhgimin e zgjedhjeve në Astana dhe në rajone të tjera të Kazakistanit. Ata bashkëpunuan ngushtë me kolegët e Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut të OSBE-së (OSBE/ODIHR), për të mbledhur më shumë të dhëna mbi mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare.
Para hapjes së qendrave të votimit, vëzhguesit u informuan në mënyrë të hollësishme nga përfaqësues të Komisionit Qendror Zgjedhor, partive politike, shoqërisë civile, mediave dhe ekspertëve të pavarur. Pas dy ditësh diskutimesh të thelluara, parlamentarët e OSBE-së do të dërgoheshin në pjesë të ndryshme të Kazakistanit për të vlerësuar procesin zgjedhor.
Gabor Hajdu nga Rumania, nënkryetar i AP të OSBE-së, mbante detyrën e koordinatorit special të OSBE-së dhe të drejtuesit të vëzhguesve afatshkurtër të zgjedhjeve. Shefe e delegacionit të AP të OSBE-së ishte Lucia Tacer Perlin nga Sllovenia.
Vlerësimi i zgjedhjeve do të bëhet në përputhje me angazhimet demokratike të përcaktuara në Dokumentin e Kopenhagës të OSBE-së të vitit 1990. Gjetjet do të përmblidhen e do të analizohen për t’u përfshirë në konkluzionet preliminare të misionit ndërkombëtar për vëzhgimin e zgjedhjeve, të cilat do të bëhen publike në konferencën e përbashkët për shtyp më 24 gusht.
