Kryetari i Komunës së Tearcës, Daut Memishi, përuroi çerdhen “Foleja” në Përshefcë, në një ceremoni ku morën pjesë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ambasadori i Bashkimit Evropian, Michael Rokas, ministri për Punë Sociale, Rini dhe Demografi, Gjoko Velkovski, si dhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Të lidhura
None found
Me funksionalizimin e këtij institucioni, fëmijët dhe familjet e Komunës së Tearcës do të kenë në dispozicion një mjedis të ri për kujdes dhe edukim parashkollor.
Gjatë përurimit, Memishi tha se hapja e çerdhes shënon përmbushjen e një zotimi të bërë ndaj qytetarëve, për realizimin e të cilit u deshën angazhim, punë dhe këmbëngulje.
“Jam veçanërisht i lumtur që sot realizoj edhe një premtim të dhënë para qytetarëve të mi. Një premtim që kërkoi punë, përkushtim dhe këmbëngulje, por që sot u bë realitet”, tha Memishi.
Sipas kryetarit të Tearcës, çerdhja “Foleja” përfaqëson një investim me rëndësi për fëmijët, familjet dhe të ardhmen e kësaj komune.
Memishi shprehu mirënjohjen për të gjithë personat që ndihmuan në realizimin e projektit, duke veçuar drejtoreshën e çerdhes, Isnisha Velii.
