Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) – Dega në Çair ka reaguar pas dëmtimit të muraleve ku paraqiteshin Adem Jashari, Komandant Teli, emblema e UÇK-së dhe simbole të tjera të luftës së shqiptarëve.
Të lidhura
None found
Sipas BDI-së, rëndësia e këtij akti bëhet edhe më shqetësuese për shkak se ka ndodhur në përvjetorin e masakrës ku humbi jetën Komandant Teli.
“Nuk mund të mos shqetësohemi për atmosferën që po krijohet në vend. Një pushtet i nënshtruar politikisht ka krijuar terren ku elementet radikale nacionaliste ndihen gjithnjë e më të inkurajuara të provokojnë shqiptarët, të prekin gjuhën e tyre, simbolet dhe tani edhe figurat e dëshmorëve”, thuhet në reagimin e degës së BDI-së.
Partia thekson se këto zhvillime janë pjesë e një serie veprimesh, duke kujtuar se “dje u hoq gjuha shqipe nga tabelat shtetërore në Tabanoc, ndërsa sot përdhosen Adem Jashari, Komandant Teli dhe emblema e UÇK-së në Çair”.
BDI i ka kërkuar Ministrisë së Punëve të Brendshme që të veprojë urgjentisht për identifikimin e autorëve, sqarimin e motiveve dhe dërgimin e tyre para përgjegjësisë. “Presim reagim institucional, jo heshtje”, thuhet në deklaratë.
Në përfundim, BDI shprehet se Çairi ka respektuar dhe do të vazhdojë të respektojë çdo komunitet dhe qytetar, ndërsa kërkon të njëjtin qëndrim ndaj historisë, gjuhës, simboleve dhe dëshmorëve shqiptarë.
