Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj glorifikimit, siç pretendon kjo parti, të kriminelëve të luftës Ratko Mlladiç dhe Draža Mihailoviç nga partnerët politikë të VLEN-it në Qeveri. Sipas BDI-së, VLEN-i nuk mund të shmangë përgjegjësinë vetëm përmes deklaratave publike, pasi është pjesë e pushtetit dhe bashkëqeveris me subjektet ndaj të cilave ngre akuza.
Të lidhura
None found
“Partnerët e VLEN-it në Qeveri, të cilët VLEN-i i ka mbrojtur dhe legjitimuar në çdo aspekt, sot glorifikojnë Ratko Mladiçin dhe Draža Mihailoviçin”, thuhet në reagimin e BDI-së.
BDI-ja përmend në mënyrë të veçantë ministrin e Vetëqeverisjes Lokale, Ivan Stoilkoviq, i cili, sipas saj, është pjesë e partneritetit politik të pranuar dhe të mbrojtur nga VLEN-i për të ruajtur bashkëqeverisjen.
“Ratko Mladiç nuk është një figurë për debat apo interpretim historik. Ai është një kriminel lufte i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përgjegjës, ndër të tjera, për gjenocidin në Srebrenicë, ku u vranë mbi 8.000 burra dhe djem boshnjakë”, thekson BDI.
Partia opozitare shqiptare vlerëson se qëndrimet e Stoilkoviqit dhe të subjektit që ai përfaqëson nuk përbëjnë një rast të vetëm, por janë përsëritur edhe më herët.
Në këtë kuadër, BDI-ja rikthen në vëmendje deklaratat e mëparshme për Srebrenicën dhe shprehet se “pikërisht këtë profil politik dhe këtë qasje ndaj një prej gjenocideve më të tmerrshme në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore, VLEN-i e ka partner në Qeveri”.
Reagimi i BDI-së kritikon edhe sjelljen e VLEN-it pas këtyre zhvillimeve. “Dhe çfarë bën VLEN-i? Sillet sikur të ishte organizatë joqeveritare apo parti opozitare: pret që të reagojë opinioni, populli dhe partitë e tjera, pastaj del me ndonjë reagim formal për të larë duart”, thuhet në kumtesë.
Sipas BDI-së, VLEN-i, si pjesë e koalicionit qeverisës, nuk mund të qëndrojë në rolin e vëzhguesit.
“VLEN-i nuk është spektator. VLEN-i është në Qeveri dhe është bashkëpërgjegjës për partnerët që i mban në pushtet dhe për gjithçka që toleron për hir të karrigeve”, deklaron BDI.
BDI-ja e lidh këtë situatë me raportet e pushtetit aktual me figura dhe struktura politike nga Serbia dhe Republika Srpska, duke pretenduar se tolerimi i këtyre qëndrimeve është pjesë e një politike më të gjerë.
“E toleruan ardhjen e Milorad Dodikut dhe ligjëratat e tij antiperëndimore e proruse; ndërkohë VLEN-i ka ndërtuar marrëdhënie dhe partneritete ekonomike e energjetike me struktura nga Serbia dhe Republika Srpska, nga Alta Banka deri te marrëveshjet në sektorin energjetik dhe projektet e gazifikimit”, thuhet në reagim.
Sipas BDI-së, glorifikimi i kriminelëve të luftës nga partnerët e VLEN-it duhet parë si rezultat i një klime politike të karakterizuar nga heshtja dhe toleranca ndaj subjekteve që janë pjesë e pushtetit.
“Prandaj, glorifikimi i kriminelëve të luftës nga partnerët e VLEN-it nuk është një incident i izoluar. Ai është pjesë e një politike të heshtjes, tolerancës dhe nënshtrimit ndaj partnerëve të pushtetit”, thekson BDI.
Partia shpreh gjithashtu shqetësimin për atë që e cilëson si depërtim të “Botës serbe” në strukturat politike dhe institucionale të vendit, duke pretenduar se për këtë çështje janë ngritur shqetësime edhe në raportet evropiane.
Në fund, BDI-ja i kërkon VLEN-it të mos fshihet pas reagimeve në rrjetet sociale. “VLEN-i nuk mund të fshihet më pas një reagimi në Facebook. Heshtja përballë glorifikimit të gjenocidit është tolerancë, ndërsa toleranca në pushtet është bashkëpërgjegjësi”, thuhet në kumtesë.
BDI-ja pohon se VLEN-i ka vendosur të vijojë bashkëqeverisjen, pavarësisht qëndrimeve të partnerëve të tij politikë. “Për hir të disa karrigeve, VLEN-i ka zgjedhur të bashkëqeverisë, të heshtë dhe të tolerojë”, përfundon reagimi i BDI-së.
