Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka fajësuar Komunën e Tetovës dhe Qeverinë, duke thënë se mosveprimi i tyre institucional ka ndikuar drejtpërdrejt që Gjykata Kushtetuese të shfuqizojë vendimin për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe objekteve infrastrukturore në Tetovë.
Sipas partisë opozitare, ky qëndrim mbështetet në arsyetimin e bërë publik nga Gjykata Kushtetuese. Në të thuhet se gjatë procedurës janë dërguar katër kërkesa zyrtare për Komunën e Tetovës dhe tri të tjera për Qeverinë, me qëllim sigurimin e dokumentacionit të nevojshëm për shqyrtim të plotë të lëndës.
Të lidhura
None found
BDI vlerëson se as Komuna dhe as Qeveria nuk e kanë dorëzuar materialin e kërkuar, duke e lënë kështu të pambrojtur vendimin që, sipas saj, prej gati dy dekadash ka qenë pjesë e identitetit urban të Tetovës.
Në reagimin e partisë thuhet se “Në shtatë raste të ndara, institucionet e udhëhequra nga VLEN dhe OBRM-PDUKM nuk ndërmorën as hapin më elementar për mbrojtjen e emrave shqiptarë të rrugëve dhe shesheve të Tetovës”.
Këtë zhvillim BDI e quan “skandal institucional” dhe shpreh dyshime për mënyrën se si autoritetet përgjegjëse e kanë trajtuar çështjen. Ajo kërkon sqarime publike se kush ka marrë vendimin që Komuna e Tetovës të mos e mbrojë këtë vendim dhe përse Qeveria nuk ka reaguar edhe pas tri kërkesave të Gjykatës Kushtetuese.
“Qytetarët kanë të drejtë të dinë nëse bëhet fjalë për paaftësi, neglizhencë apo për një vendim të vetëdijshëm politik”, thekson BDI.
Sipas partisë, pasojat e këtij mosveprimi po bien mbi qytetarët e Tetovës, ndërsa përgjegjësia politike për zhvillimet e fundit, sipas saj, nuk mund të shmanget.
Në fund, BDI kërkon përgjegjësi të plotë politike nga Komuna e Tetovës dhe Qeveria për atë që e cilëson si mosmbrojtje të vendimit që lidhet me emërtimet shqiptare të rrugëve dhe shesheve në qytet.
