BDI: Agjenda e blertë në shërbim të jetës cilësore të dibranëve

Kandidati i Bashkimit Demokratik për Integrim për Dibrën, Hekuran Duka në press konferencën e sotme ka prezantuar programin e tij të punës për komunën e Dibrës duke numëruar projektet më të rëndësishme në përmbajtjen e saj.

Sipas tij, objektivat e veprimit për katër vitet e ardhshme janë të definuara në konsultim të drejtëpërdrejtë me qytetarët dhe konform përbetimeve të agjendës së blertë si mision për jetë më cilësore.

Projektet kanë për bazë vazhdimësinë e zhvillimit përmes avancimit të proceseve të filluara të punës dhe realizimin e ideve dhe nevojave të reja. Administrata komunale do të vazhdojë punën e saj për infrastrukturë cilësore rrugore, rrjet të rregulluar të ujësjellësit dhe kanalizimit në çdo vendbanim të Dibrës, përkujdes për pastërtinë publike dhe gjelbërimin e ambientit jetësor, përkujdes për jetën kulturore, mirëqenien shëndetësore dhe sigurinë publike.

Në vazhdim po ua sjellim fjalimin e plotë nga press konferenca:

Të nderuar qytetarë,
Të nderuar përfaqësues të mediave,

Çdo kandidat për kryetar komune i Bashkimit Demokratik për Integrim paraqet para qytetarëve programin e tij të punës të përpiluar në bazë të kërkesave e tyre dhe në pajtim të plotë me prioritetet e agjendës së blertë në bazë së të cilave do të ndërtojmë jetën cilësore. Ndodhem sot këtu para jush për të shpalosur përmbajtjen e programit me të cilin do të udhëheqim Dibrën drejt zhvillimit më të madh, duke bërë edhe më shumë punë për të avancuar proceset në çdo sferë të jetës shoqërore. Agjenda e blertë për Dibrën do të thotë komunë me më tepër kompetenca, komunë me më tepër financa, me qeverisje të përgjegjshme që ka pikënisje të veprimit llogaridhënien dhe transparencën.

Programi ynë parasheh mirëmbajtjen e vazhdueshme të infrastrukturës rrugore mes të cilave rekonstruimin e rrugëve Zeqir Çanka, rrugës 8 Marsi dhe degët e rrugës Edvard Kardel, rrugës 206 në lagjen Venec – 2, ndërtimin e rrjetit rrugor në lagjen Venec 2 me instalime përcjellëse, rekonstruimin e rrugëve lokale në fshatrat Osoj, Spas, Shushicë, Sollokiq dhe të tjera.

Fokusin në mandatin e ri katërvjeçar do të jetë edhe në rekonstruimin dhe mirëmbajtjen e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit në vendbanimet e Dibrës, ndër të cila numëroj kanalizimin atmosferik për lagjet Venec 1 dhe Venec 2, rregullimin e ujërave atmosferik në vendbanimin Sitnicë, ndërtimi i Qendrës për klorim – Ujësjellësi i qytetit, si dhe realizimi i fazës së dytë dhe të tretë të ujësjellësit.

Zgjerimi i shërbimit komunal për grumbullimin e mbeturinave edhe në fshatrat Banjisht, Mogorçë, dhe Xhepisht/Otishan, mirëmbajtje dhe rregullim të parqeve dhe hapësirave të gjelbërta në pjesët urbane të qytetit dhe zonës së liqenit, mbjellje të 5 hektarëve drunj pishe me rreth 15.000 rrënjë të reja në zonën halore të pyeve në rënzën e malit dhe në zona përreth liqenit janë vetëm disa nga projektet e përkujdesit ndaj ambientit jetësor.

Objekti plotësues i ri i çerdhes BRESHIA, është në procedurë tenderimi.
Komuna do të përcjellë me kujdes çdo fazë dhe do të kontribuojë për mobilimin dhe furnizimin me të gjitha mjetet e duhura për fëmijt në çerdhe, do të përpilojmë plan për vendosjen edhe të më shumë Panelëve Solare – fotovoltaike tek objektet shkollore dhe institucionet tjera me qëllim të efikasitetit energjetik gjegjësisht zvogëlimit të harxhimit të rrymës.

Në sferën e kulturës do të themelojmë Qendrën për Trashëgimi Kulturore dhe do të krijojmë Muzeun Etnografik në qytet, si dhe do të japim përkrahje të vazhdueshme ndaj punës së shoqërive kulturore-artistike me traditë në qytet. Programi parasheh edhe shumë projekte për zhvillimin e infrastrukturës sportive, për mirëqenien më të madhe shëndetësore dhe siguri publike.

Të nderuar qytetarë,
Këto janë vetëm disa nga shumë projektet e planifikuara në programin tonë të punës, të cilin do ta keni në dispozicion të plotë për ta shqyrtuar dhe analizuar.

Më 17 Tetor vota juaj do ti hap rrugën e zbatimit agjendës së blertë, garantues i së cilës është Bashkimi Demokratik për Integrim, prandaj rrethoni numrin 3 për vazhdimësinë e rrugës së sigurtë të zhvillimit të Dibrës./flaka.com


Shtuar 8.10.2021 16:49