Policia ka arrestuar S.G. (52), banues në Strugë, pasi dyshohet se gjatë vizitës së kryeministrit Hristijan Mickoski në Tashmarunishtë, më 2 Gusht, ka lëshuar fyerje verbale. Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi për ndalimin, ndërsa VMRO-DPMNE deklaroi se i arrestuari posedonte dokumente bullgare.
Të lidhura
None found
Sipas portalit Lideri.mk, arrestimi i S.G. u krye pas denoncimit se ai kishte konsumuar veprën penale “pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.
Në njoftimin e MPB-së sqarohet se më 2 gusht, 52-vjeçari S.G. ka fyer verbalisht persona publikë që merrnin pjesë në aktivitetin kushtuar 2 Gushtit – Ditës së Republikës. Institucioni bëri të ditur se, pasi rasti të dokumentohet plotësisht, kundër tij do të dorëzohet kallëzimi përkatës.
Lidhur me ngjarjen reaguan dje si LSDM-ja, ashtu edhe VMRO-DPMNE-ja.
LSDM-ja ngriti pyetjen nëse qytetarët e kishin sulmuar verbalisht Mickoskin dhe nëse sharjet ndaj tij lidheshin me premtimet e pambajtura. Sipas partisë, qytetarët nuk e durojnë dot Mickoskin për shkak të politikës së tij të përhapjes së urrejtjes, përçarjes dhe ndasive, e shfaqur, siç pretendohet, edhe në fjalimin për Ilindenin. LSDM-ja deklaroi gjithashtu se pakënaqësia është e madhe si pasojë e situatës katastrofike ekonomike, ndotjes së ujit, izolimit të vendit dhe gënjeshtrave të përditshme të Mickoskit.
Në përgjigjen e saj, VMRO-DPMNE-ja tha se LSDM-ja e kishte gjetur veten në fjalimin që Mickoski mbajti në Pelincë dhe, sipas saj, kishte dëshmuar koordinimin e plotë me qendra të jashtme.
VMRO-DPMNE-ja deklaroi se Mickoski, i përshëndetur nga qytetarët e pranishëm, ecte mes tyre ashtu siç i takon një lideri popullor. Partia e krahasoi këtë sjellje me atë të kryetarit të LSDM-së, për të cilin tha se largohet nga populli me jahte të shtrenjta dhe, në një ditë si Ilindeni, u drejtohet qytetarëve nëpërmjet mesazheve të regjistruara.
Sipas versionit të VMRO-DPMNE-së, ndërsa Mickoski po lëvizte mes qytetarëve, një person nën ndikimin e alkoolit tentoi të shkaktonte incident duke bërtitur fjalë me përmbajtje të papërshtatshme. Partia shtoi se të pranishmit e izoluan personin, ndërsa pjesëtarët e MPB-së e identifikuan. Gjatë procedurës së identifikimit, ai paraqiti letërnjoftim dhe pasaportë bullgare.
