Policia malazeze ka vënë në pranga dy shtetase të Maqedonisë së Veriut, të dyshuara për vjedhjen e katër varëseve prej ari në një argjendari në Igalo.
Të lidhura
None found
Të arrestuarat janë Zh.C.T. (55) dhe A.R. (33). Departamenti i Sigurisë në Herceg Novi njoftoi se ato dyshohen për kryerjen e veprës penale të vjedhjes.
Sipas hetimeve, ngjarja ka ndodhur më 15 korrik, rreth orës 13:30. Dy gratë kanë hyrë në argjendari duke pretenduar se kërkonin të blinin bizhuteri dhe i kanë kërkuar punonjëses t’u shfaqte disa produkte ari.
Teksa punonjësja po u prezantonte bizhuteritë, dyshohet se ato kanë përfituar nga mungesa e vëmendjes për të marrë nga banaku katër varëse ari, të cilat më pas i kanë fshehur në çantat e tyre.
Pas largimit nga argjendaria, ato u lokalizuan nga policia dhe u arrestuan dje në një apartament në Herceg Novi, pas masave të ndërmarra nga autoritetet.
Gjatë aksionit policor janë gjetur edhe bizhuteritë e marra, të cilat u janë kthyer pronarëve të argjendarisë.
Procedurat ndaj dy të dyshuarave vijojnë, ndërsa ato pritet të mbajnë përgjegjësi për veprën penale të vjedhjes.
