Në kuadër të shënimit të Ditës së Armatës, njësia e batalionit të artilerisë do të realizojë sonte, në orën 19:00, qitje ceremoniale në kazermën “Ilinden” në Shkup. Gjatë saj do të qëllohen 10 breshëri nga 6 armë artilerie, ndërsa paraprakisht, në orën 18:00, do të kryhet qitja provuese me një breshëri prej 6 gjuajtjesh.
Të lidhura
None found
Përvjetori i 34-t i Armatës do të kremtohet gjithashtu në kazermën “Jane Sandanski” në Shtip, ku është parashikuar parakalimi i Batalionit të 2-të të Këmbësorisë, së bashku me njësi të tjera të Armatës.
Sipas njoftimit të Shtabit të Përgjithshëm, në ceremoni do të jenë të pranishëm përfaqësues të komandës së lartë të Armatës, kryetarët e komunave që përfshihen në zonën e përgjegjësisë së Batalionit të 2-të të Këmbësorisë, drejtues dhe drejtorë të institucioneve e ndërmarrjeve publike në Shtip, si dhe përfaqësues të bashkësive fetare.
Data 18 gusht është përcaktuar si Dita e Armatës për shkak se më 18 gusht 1943, në malin Slavej, u krijua batalioni “Mirçe Acev”, i vlerësuar si formacioni i parë ushtarak i organizuar.
Ngritja e Armatës moderne të Maqedonisë nisi në vitin 1992. Atëherë, presidenti Kiro Gligorov dhe udhëheqja e JNA-së nënshkruan marrëveshjen që parashikonte largimin e ushtrisë federale nga territori i Republikës së Maqedonisë.
Armata e Maqedonisë së Veriut sot bën pjesë në sistemin më të madh të sigurisë kolektive, pasi Republika e Maqedonisë së Veriut u pranua në mars të vitit 2020 si anëtarja e 30-të me të drejta të plota e NATO-s.
