Reparti i Pediatrisë në Spitalin Klinik të Tetovës ka pranuar 139 raste të reja gjatë 48 orëve të fundit. Rritja e numrit të fëmijëve të paraqitur lidhet kryesisht me simptoma si temperatura e lartë, të vjellat dhe diarreja.
Të lidhura
None found
Sipas të dhënave të repartit, nga 139 fëmijët e trajtuar, 12 janë shtruar në spital, ndërsa pjesa tjetër është larguar për të vazhduar trajtimin në kushte shtëpie.
Dr. Isa Osmani, specialist i pediatrisë, thotë se në pjesën më të madhe të rasteve bëhet fjalë për viroza sezonale. Ai shpjegon se përhapja e tyre gjatë verës favorizohet nga temperaturat e larta, mënyra e ushqyerjes dhe kontakti i shpeshtë mes fëmijëve.
“Në këtë grupmoshë, pjesa dërrmuese e rasteve shkaktohet nga viroza sezonale. Temperaturat e larta, mënyra e ushqyerjes, përdorimi i qumështit artificial, që kërkon higjienë shumë të madhe gjatë përgatitjes, si edhe kontakti mes fëmijëve të sëmurë dhe atyre të shëndetshëm, ndikojnë në përhapjen e tyre. Këto viroza janë ngjitëse dhe shoqërohen me simptoma të caktuara. Megjithatë, një diarre ose e vjellë nuk do të thotë se fëmija duhet dërguar menjëherë në spital. Prindërit duhet të kenë në dispozicion elektrolite dhe të përdorin forma të ndryshme ushqyerjeje për të parandaluar dehidratimin. Shpesh, prindërit frikësohen se fëmija mund të dehidratohet”, deklaroi pediatri Isa Osmani.
Për numrin e rasteve në Tetovë ka reaguar edhe Aleanca për Shqiptarët, e cila ka kërkuar shpjegime nga institucionet për, siç thotë, heshtjen ndaj kësaj situate.
“Pse tani heshtin? Shëndeti publik nuk mund të trajtohet në varësi të komunës, kryetarit apo interesit politik të ditës. Kur shifrat përdoren për sulme politike në Gostivar, ndërsa për shifra serioze në Tetovë zgjidhet heshtja, qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë përgjigje”, thuhet në komunikatën e ASH-së.
Mjekët u bëjnë thirrje prindërve të tregojnë kujdes të veçantë ndaj higjienës së ushqimit, t’u ofrojnë fëmijëve lëngje të mjaftueshme dhe të shmangin kontaktet me personat e prekur, për të frenuar përhapjen e mëtejshme të virozave.
