Xhonglon në trafikun e Tiranës, kolumbiani: Nuk dija ku ishit në hartë, më pëlqen edhe rakia

Alejandro Quintero Parra është një artist rruge nga Bogota e Kolumbisë, i cili prej një muaji jeton në Tiranë. Ai është xhongler dhe performon në vende të ndryshme të kryeqytetit, një prej të cilave parku i liqenit artificial në Tiranë. I ftuar në ‘Abc e Pasdites’ Alejandro tregoi arsyet e ardhjes në Ballkan, dhe si u gjend në vendin tonë.

“Në fakt nuk e dija ekzistencën e Shqipërisë. Por ishte diçka shumë e këndshme, sepse kur fillova të udhëtoj dhe mësova shumë gjëra. Dhe tani e di shumë mirë ekzistencën e Shqipërisë.” – shprehu artisti.

Por kjo nuk është vizita e tij e parë në Shqipëri. Alejandro e ka vizituar Tiranën në Mars të 2019-s dhe sipas tij, është dashuruar me natyrën dhe njerëzit.

“Këtu kam gjetur njerëz shumë të mirë, shumë të bukur. Ata të japin dashuri. Kur ti krijon shoqëri këtu në Shqipëri, të bëhenn si familje. Të ftojnë në shtëpi e tyre. Po, nuk kuptoj shumë fjalë por ndihem si në shtëpi. Më pëlqen rakia shumë” – tha ai për Abc News Albania.

I zhvendosur në anën tjetër të botës, Parra tregoi se mes Kolumbisë dhe Shqipërisë, aq sa ka ndryshime ka dhe ngjashmëri.

“Ka shumë ngjashmëri, por për shkak të historisë, përshembull mund të shohësh të kaluarën me njerëzit indigjenë, dhe kjo është totalisht ndryshe. Por në aspektin ekonomik ka shumë ngjashmëri.”

 


Shtuar 12.10.2021 22:17