Qindra miliona njerëz në mbarë botën kanë pasur dhe kanë raportuar përvoja afër vdekjes (në anglisht NDE). Edhe pse këto janë përvoja të shpeshta, të përbashkëta për të gjitha kulturat, deri 50 vjet më parë ato ishin praktikisht të panjohura. Vetëm që nga vitet 1970, interesi mbi këtë fenomen filloi që të rritet në mesin e ekspertëve, gjë që çoi në marrjen e një sasie të madhe të dhënash dhe njohurish, duke i bërë NDE-të një fenomen të veçantë klinik.
Përvoja afër vdekjes, e lidhur zakonisht me ngjarje jashtëzakonisht të dhimbshme, si një dëmtim i rëndë në kokë, një atak në zemër apo ndalimi i frymëmarrjes, përshkruhen si një fenomen transhendental në të cilin subjekti shqyrton kujtimet kryesore të jetës së tij, përjeton përvoja surreale jashtë trupit të tij, me ëndrra dhe halucinacione dhe hyn në një gjendje qetësie të plotë.
Ndonëse shkencëtarët janë përpjekur të shpjegojnë, nëpërmjet teorive të ndryshme, disa nga këto ndjesi të lidhura me NDE-të, deri më sot mekanizmi neurofiziologjik që qëndron në bazë të këtij fenomeni nuk është ende i qartë. Shumë gjëra mbi përvojat afër vdekjes mbeten ende një mister, sepse është praktikisht e pamundur që t`i studiosh ato në kohë reale. Studiuesit duhet të mbështeten në historitë, kujtimet dhe në disa raste studimet e kafshëve për të kuptuar se si truri ndryshon në një NDE, pasi aktiviteti i vazhdueshëm i trurit në fazën kalimtare drejt vdekjes është një gjë shumë e vështirë për t’u kapur.
Në një intervistë dhënë kohët e fundit për revistën amerikane “Neësëeek”, Xhulia Nikolson, ish-drejtuese e një kompanie, eksperte e udhëheqjes ekzekutive dhe konsulente, përshkroi në detaje përvojën e saj pranë vdekjes. Gjatë një aksidenti gati fatal me makinë në vitin 1980, ajo tha se pa fytyrat e të dashurve të saj që vezullonin para syve të saj.
“Nuk mbaj mend të kem pasur dhimbje derisa shkova në spital”- shtoi ajo. Të parit e njerëzve të dashur, të vdekur apo të gjallë, është shumë e zakonshme në mesin e NDE-ve, siç është edhe shikimi i një dritë të fortë në fundin e një tuneli. Por njerëz të tjerë, raportuan se kishin përjetuar më shumë ndjesi trupore, si për shembulli largimin nga trupi i tyre, ndjenja fizike e tërheqjes nga ai tunel me dritë në fund, apo takimi shpirtëror me një të huaj apo me të dashurit që kanë ndërruar jetë dikur.
Dhe gjatë këtyre përvojave të botës tjetër, njerëzit raportojnë rrallë se ndjejnë frikë ose dhimbje. Në fakt ata pushtohen zakonisht nga një ndjenjë qetësie. Për të zbuluar disa sekrete rreth proceseve neurofiziologjike gjatë momenteve afër vdekjes, një ekip ekspertësh ndërkombëtarë arriti për herë të parë në vitin 2016 të kryejë Elektroencefalogramën (EEG) e trurit të një njeriu pak para vdekjes së tij.
Ata regjistruan të dhënat e para të vazhdueshme mbi dinamikën neuronale të trurit të një pacienti 87-vjeçar, i cili vdiq nga arresti kardiak. “Ne matëm 900 sekonda të aktivitetit të trurit para dhe pas momentit të vdekjes, dhe synuam të kuptonim se çfarë ndodhi në 30 sekondat para dhe pasi zemra pushon së rrahuri”- tha dr.Ajmal Zemar, neurokirurg në Universitetin Luizvil, që koordinoi studimin.
Në studimin e fundit të botuar në vitin 2022 në “Frontiers in Aging Neuroscience”, studiuesit raportuan se gjatë 15 sekondave që çuan në sulmin në zemër të burrit, aktiviteti i tij i trurit zbuloi një kulm relativ në fuqinë e rrezeve gama që ndërvepronte më shumë me valët alfa, një model jo i ndryshëm nga kujtesa.
“Duke pasur parasysh se ndërthurja midis aktivitetit alfa dhe gama është e përfshirë në njohjen dhe thirrjen e kujtesës tek njerëzit e shëndetshëm, ne supozojmë se një aktivitet i tillë mund të mbështesë një kujtim të fundit të ngjarjeve kryesore të jetës pak para vdekjes, të ngjashme me atë të raportuar nga përvojat afër vdekjes”-shkruan ata.
Sipas shkencëtarëve, fillimi i fenomeneve të raportuara gjatë NDE-ve mund të shpjegohet me një sërë ndryshimesh fiziologjike që shkaktohen në një tru të dëmtuar rëndë, si pas një dëmtimi në kokë, një ataku në zemër apo arresti respirator. Dihet se në gjendje stresi apo rreziku, truri lëshon endorfinë për të reduktuar dhimbjen dhe për të nxitur një ndjenjë mirëqenieje.
Kjo mund të shpjegojë ndjenjën e qetësisë të raportuar nga pacientët gjatë përvojave afër vdekjes. Për të konfirmuar këtë hipotezë, një studim mbi minjtë ka treguar se si përvoja jashtëzakonisht pozitive që raportojnë njerëzit gjatë NDE mund të lidhet vërtet me një fluks të serotoninës të çliruar nga truri.
“Kjo mund të jetë mënyra që përdor truri për të përgatitur gradualisht trupin për vdekjen, duke nxitur ndjenja euforie dhe lehtësimin e dhimbjeje”- thotë dr.Dejvid San Filipo, profesor i Universitetit Kombëtar të Luizvil. Nga ana tjetër, shtjellimi i fenomeneve vizuale, si tunelet dhe dritat, shtrembërimet e perceptimit të trupit dhe përvojat e shkëputjes nga trupi, mund të shpjegohet me stimulimin më të madh elektrik të lobit të përkohshëm (rajon përgjegjës i trurit për një numër të madh të mekanizmave të lidhura me emocionet dhe kujtesën).
Dihet se gjatë përvojave afër vdekjes, truri shfaq aktivitet të shtuar në rajone të ndryshme si ato që lidhen me kujtesën, shikimin, dëgjimin dhe emocionet. “Sidomos lobi temporal, përgjegjës për përpunimin e tingullit dhe kodimin e kujtimeve, mendohet se lidhet me përvojat jashtë trupit dhe rikthimet e kujtesës gjatë NDE-ve”- thotë San Filipo.
Eksplorimi shkencor i afër vdekjes ka qenë i mundur kryesisht për shkak të faktit se qelizat e trurit nuk dëmtohen në mënyrë të pakthyeshme brenda disa minutave nga privimi i oksigjenit, kur zemra ndalon, por përkundrazi ‘vdesin’ gjatë orëve të ardhshme. Kjo i ka dhënë mundësi shkencëtarët të studiojnë në mënyrë objektive ngjarjet fiziologjike dhe mendore që ndodhin pak para vdekjes, dhe të kuptojnë se si kjo fazë shoqërohet me një ndjenjë qetësie dhe mirëqenieje.