Studimi: Kjo është mosha ideale për të sjellë në jetë fëmijë të shëndetshëm

Rezultati i një studimi mbi 31.000 lindje ka treguar se gratë e grupmoshës 23-32 vjeç kanë gjasa të lindin fëmijë më të shëndetshëm.

Nënat adoleshente ose në të njëzetat e hershme rrezikojnë të lindin fëmijë me probleme në sistemin nervor qendror që prekin zhvillimin e trurit dhe shtyllës kurrizore, ndërsa shtatzënitë në moshë të madhe lidhen me deformime të kokës, qafës, syve dhe veshëve.

Nënat në moshë të re shpesh janë të papërgatitura për shtatzëninë dhe ndikohen nga faktorë të stilit të pashëndetshëm të jetesës si konsumimi i alkoolit, duhanit apo ilaçeve të ndryshme.

Nga ana tjetër, nënat në moshë të pjekur ekspozohen për një kohë më të gjatë ndaj faktorëve stresantë mjedisorë si ndotja e ajrit dhe sipas shkencëtarëve, kjo mund të ndikojë në lindjen e fëmijëve me probleme fizike.

Studimi është rezultat i rritjes së moshës mesatare të nënave të reja në Amerikë. Gratë amerikane bëhen nëna për herë të parë në moshën 30-vjeçare, krahasuar me trendin e viteve 2000 ku mosha ishte 27 vjeç ndërsa në 1970 ishte 24 vjeç.

Ky zhvillim i është atribuuar ndryshimit të parimeve familjare, dhënies përparësi ndaj karrierës dhe kostos së jetesës.


Shtuar 28.06.2023 23:49