Si ta kuptoni se keni vërtetë probleme me kujtesën, mjekja Entela Basha tregon simptomat

Demenca është një sëmundje që karakterizohet nga një rënie progresive e funksioneve të larta të trurit në një, ose më shumë fusha, siç janë: të mësuarit, kujtesa, gjuha, funksionet ekzekutive dhe vëmendja, duke cenuar pavarësinë funksionale të individit.

Sëmundja e Alzheimerit është shkaku më i shpeshtë i demencës dhe një nga burimet kryesore të vdekshmërisë në popullatën e moshuar. Në të gjithë botën numërohen 47 milionë njerëz të prekur nga demenca.

Me rritjen e jetëgjatësisë po shtohet ndjeshëm numri i pacientëve me demencë. Që të dyshosh se je i sëmurë me Alzheimer mjaftojnë të dhënat klinike, në të paktën një nga fushat e mëposhtme: të mësuarit dhe kujtesa, gjuha, funksionet ekzekutive, vëmendja, funksionet motore dhe perceptuese.

Humbja e funksionit vlerësohet duke u krahasuar me gjendjen paraardhëse të individit dhe defiçitet konjitive duhet të ndikojnë në jetën e përditshme të tij.

Ka dhe disa forma më të rralla të Alzheimerit, si: paraliza supranukleare progresive, sëmundja e Huntingtonit, demenca e lidhur me abuzimin nga alkoli, etj.

Pjesa më e madhe e pacientëve nuk paraqiten në spital për çrregullime të kujtesës, ndërkohë janë familjarët e tyre që detyrohen t’i sjellin për vlerësim si rrjedhojë e çrregullimeve të kujtesës.

Vështirësitë që shfaqin pacientët

Pacientët me demencë kanë vështirësi në: marrjen dhe përpunimin e informacioneve të reja (vështirësi në kujtimin e ngjarjeve), në kryerjen e veprimeve të vështira (balancimin e objekteve), të logjikës (vështirësi socializimi me të panjohur), çrregullime të orientimit duke harruar vendndodhjen dhe ambiente të njohura.

Gjithashtu shfaqin vështirësi në gjetjen e fjalëve kur flasin, në sjellje, etj. Alzheimeri duhet dalluar nga shenjat e humbjes se kujtesës apo çrregullime të sjelljes dhe të personalitetit, të cilat janë joprogresive, ose të nxitura nga një sëmundje sistemike, medikamentet, çrregullime psikiatrike, apo patologji organike të trurit.

Çrregullimet e funksioneve të larta të trurit karakterizohen nga çrregullime të kujtesës, por që nuk ndikojnë në funksionimin normal.

Këta subjekte kanë risk më të lartë të shfaqin demencë me kalimin e viteve. Vlerësimi i pacientëve me çrregullime të kujtesës, që mund të jetë një shenjë paralajmëruese për shfaqjen e demencës, nuk mund të bëhet në një seancë vlerësuese të vetme.

Duhet të kërkoni ndihmën e mjekut nëse keni:

Humbje të kujtesës.

Vështirësi në kryerjen e detyrave.

Vështirësi në shqiptimin e fjalëve.

Mungesë në orientim, harroni vendndodhjen, etj.

Dobësim të gjykimit.

Probleme me logjikën.

Vendosjen e sendeve gabim.

Ndryshime të gjendjes emocionale.

Keqperceptim të imazheve.

Largim nga jeta sociale