Si e dimë sa e vjetër është Toka?
Kuptimi ynë mbi moshën e Tokës, do të jetë gjithmonë më pak mbi vitin e saktë se kur u formua planeti, dhe më shumë mbi një ndjenjë të përgjithshme të epokës kur filloi të merrte formë planeti ynë.
Toka është krijuar afro 4.54 miliardë vite më parë. Në fillim janë formuar dhe zhdukur disa kontinente, zgjeruar dhe zvogëluar shtresat e mëdha prej akulli, dhe jeta ka evoluar nga organizmat njëqelizore në balenat blu. Por si e dimë moshën e vërtetë Tokës? Analizat nisin nga brendësia e saj.
“Kur je një shkencëtar i Tokës që analizon një shkëmb, në fakt ai nuk është thjesht një shkëmb, por një objekt që bart me vete një histori, të cilën mund të përpiqesh ta deshifrosh”- thotë Beki Flauer, gjeologe në Universitetin e Kolorados.
Kur mineralet formohen nga magma ose llava, ato shpesh përmbajnë gjurmë të materialit radioaktiv, si uraniumi. Me kalimin e kohës, këta elementë radioaktivë shpërbëhen, pra emetojnë rrezatim, duke i transformuar përfundimisht në elementë të rinj më të qëndrueshëm që mbeten të bllokuar brenda mineralit.
Uranium radioaktiv-238, është një formë e zakonshme e uraniumit. Atomet e tij do të lëshojnë energji derisa përfundimisht të kthehen në plumb. Ky proces ndodh me një shpejtësi fikse të njohur si ‘gjysmë jetë’, që përputhet me sasinë e kohës që i duhet gjysmës së atomeve për t’u zbërthyer.
Gjysma e jetës së uranium-238 është më shumë se 4 miliardë vjet, që do të thotë se duhen më shumë se 4 miliardë vjet që gjysma e uranium-238 të bëhet plumb. Kjo e bën atë të përsosur me objekte që janë shumë, shumë të vjetra. Duke e njohur këtë proces, ne mund të llogarisim se sa i vjetër është një shkëmb bazuar në raportin e elementit radioaktiv “prind” dhe elementit të qëndrueshëm “bijë”, një metodë e quajtur datim radiometrik.
Flauers thotë se për këtë përcaktim moshor përdoret zakonisht minerali zirkon, sepse ai përmban një sasi relativisht të madhe uraniumi. Datimi përmes plumbit të uraniumit, është vetëm një lloj mënyre e datimit radiometrik. Llojet e tjera përdorin elementë të ndryshëm; për shembull, datimi me radiokarbon, një nga metodat më të zakonshme, që përdor një izotop radioaktiv të karbonit, i cili ka një gjysmë jetëgjatësie prej mijëra vjetësh, dhe është i dobishëm për përcaktimin e moshës së lëndës organike.
Duke përdorur këto metoda, gjeologët kanë gjetur minerale në Tokë që datojnë deri në 4.4 miliardë vjet, që do të thotë se planeti ynë është krijuar përafërsisht në atë kohë. Por nëse shkencëtarët thonë se Toka është më shumë se 4.5 miliardë vjet e vjetër, nga erdhën këto rreth 100 milionë vjet shtesë?
Siç u përmend më lart, Toka s’ka ndryshuar shumë gjatë miliarda viteve, veçanërisht përmes proceseve të tilla si tektonika e pllakave, të cilat e zhvendosin koren, që kanë krijuar kontinente të reja nga magma apo që i kanë zhytur nën ujë kontinentet e vjetra.
Ndaj është e vështirë të gjenden shkëmbinjtë që datojnë që nga fillimi i historisë së planetit. Sepse ata mund jenë gërryer apo shkrirë prej kohësh. Por shkencëtarët mund të përdorin datimin radiometrik për të përcaktuar moshën e shkëmbinjve nga pjesë të tjera të sistemit diellor.
Disa meteorë përmbajnë materiale që janë më shumë se 4.56 miliardë vjet të vjetra. Edhe shkëmbinjtë e marrë nga Hëna dhe Marsi datojnë rreth 4.5 miliardë vjet më parë. Këto data janë shumë afër kohës kur shkencëtarët mendojnë se nisi të merrte formë sistemi diellor nga reja e gazit dhe pluhurit që rrethonte Diellin e porsa-krijuar.
Dhe duke ditur të gjitha këto epoka relative, ne mund të nisim të hartojmë një plan kohor se si filluan të formohen Toka, Hëna, Marsi dhe të gjithë shkëmbinjtë e tjerë të vegjël që notojnë përreth në hapësirën e afërt. Megjithatë, kalimi nga reja e pluhurit primordial në planetin Tokë nuk ndodhi menjëherë, por përkundrazi gjatë miliona viteve, thekson Rebeka Fisher, shkencëtare e Tokës dhe planetarëve në Universitetin e Harvardit.
Kjo do të thotë se kuptimi ynë mbi moshën e Tokës, do të jetë gjithmonë më pak mbi vitin e saktë se kur u formua planeti, dhe më shumë mbi një ndjenjë të përgjithshme të epokës kur filloi të merrte formë planeti ynë.