Shkencëtarët gjejnë prova të transmetimit të Covid nga njeriu te macet

Dy raste të transmetimit të Covid-19 nga njeriu te macet janë identifikuar nga studiuesit. Shkencëtarët nga Universiteti i Glasgow gjetën rastet e transmetimit të Sars-CoV-2 si pjesë e një programi shqyrtimi të popullatës së maceve në Mbretërinë e Bashkuar.

Macet, të racave të ndryshme, jetonin në familje të ndara dhe shfaqën shenja të lehta deri të rënda të frymëmarrjes. Studiuesit besojnë se të dy kafshët shtëpiake u infektuan nga pronarët e tyre, të cilët kishin simptoma të Covid-19 para se macet të mos ishin mirë.

Studimi, i botuar në Veterinar Record, thotë se nuk ka prova të transmetimit nga macet te njeriu ose që macet, qentë ose kafshët e tjera shtëpiake luajnë ndonjë rol të konsiderueshëm në epidemiologjinë e infeksioneve të Covid te njerëzit.

Prof. Margaret Hosie, nga qendra e MRC e Universitetit të Glasgow për hulumtimin e virusit dhe autorja kryesore e studimit, tha: “Këto dy raste të transmetimit nga njeriu në kafshë, të gjetura te macet në Mbretërinë e Bashkuar, demonstrojnë pse është e rëndësishme që ne të përmirësojmë qasjen tonë mbi infeksionin Sars-CoV-2 te kafshët.”

“Aktualisht, transmetimi nga kafshët te njeriu paraqet një rrezik relativisht të ulët për shëndetin publik në zonat ku transmetimi nga njeriu te njeriu mbetet i lartë.”

Studiuesit në qendër punuan në bashkëpunim me Shërbimin Diagnostikues Veterinar (VDS) në Shkollën e Mjekësisë Veterinare.

Macja e parë ishte një kotele ragdoll femër katër muajshe nga një familje në të cilën pronari pati simptoma që ishin në përputhje me infeksionin Sars-CoV-2 në fund të marsit 2020, megjithëse nuk u testuan.

Kotelja u dërgua te një veteriner për shkak të vështirësive në frymëmarrje në prill 2020, por gjendja u përkeqësua dhe ajo nuk mbijetoi. Mostrat e mushkërive zbuluan dëmtime që lidheshin me një pneumoni virale dhe kishte prova të infeksionit Sars-CoV-2. Macja e dytë ishte një siameze gjashtë vjeçare nga një familje ku pronari doli pozitiv me Covid-19. Macja u dërgua tek veterineri, por simptomat e saj qenë të lehta dhe macja u shërua më vonë.

Shkencëtarët besojnë se të dy rastet duhet të shërbejnë për të hulumtuar më shumë, pasi testimi i kafshëve është i kufizuar.


Shtuar 24.04.2021 08:31