Rreth 5 000 fëmijë në Kosovë kanë mbetur pa e marrë vaksinën kundër fruthit në kohën e duhur, ndërsa përhapja e dezinformatave po ndikon në rënien e vaksinimit. Ekspertët hedhin poshtë pretendimet se vaksina lidhet me autizmin.
Në Programin e Mëngjesit në Klan Kosova u ngrit shqetësimi për pasojat e mosvaksinimit, duke u përmendur edhe 100 fëmijët në Bangladesh që vdesin nga fruthi.
Të lidhura
None found
Infektologu Izet Sadiku tha se rrjetet sociale, ku njerëzit mund të shprehin mendimet e tyre pa kontroll, kanë ndihmuar në përhapjen e pretendimeve të pasakta. Ai shpjegoi se polemika nisi më 1998, kur një grup mjekësh pretendoi se ekzistonte lidhje me autizmin.
Sipas Sadikut, studimi i asaj kohe përfshinte vetëm 12 fëmijë dhe shkaktoi alarm në komunitetin kërkimor, i cili nisi të kryente hulumtime të mëtejshme. Më pas, studimi u tërhoq nga revista, ndërsa mjekut që e kishte publikuar iu hoq licenca dhe ai nuk punoi më si mjek.
Ilir Alimehmeti, profesor në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, iu referua studimeve të mëdha të kryera në Danimarkë me 650 000 fëmijë, në Finlandë me 535 000 dhe në SHBA me 100 000. Asnjëri prej këtyre studimeve nuk gjeti lidhje mes vaksinës kundër fruthit dhe autizmit.




