Konsumimi i rregullt i sasive të mëdha të mishit të kuq mund të shoqërohet me mundësi më të larta për zhvillimin e kancerit të pankreasit.
Të lidhura
None found
Në këtë përfundim orienton një analizë e re e botuar në revistën shkencore Frontiers in Nutrition, ku u shqyrtuan të dhënat e 16 studimeve që përfshinin afro dy milionë pjesëmarrës.
Qëllimi i studiuesve ishte të vlerësonin nëse marrja e mishit të kuq dhe atij të përpunuar lidhej me diagnostikimin e mëvonshëm të kancerit pankreatik.
Rezultatet treguan se pjesëmarrësit me konsumin më të lartë të mishit të kuq përballeshin me një rrezik relativ 16% më të madh për këtë sëmundje sesa ata që konsumonin sasitë më të ulëta.
Të dhënat evidentuan gjithashtu një marrëdhënie lineare: rreziku shtohej paralelisht me rritjen e sasisë së mishit të kuq të konsumuar.
Konkretisht, çdo 100 gramë mish i kuq më shumë në ditë shoqërohej me një rritje prej 10 për qind të rrezikut relativ për këtë lloj kanceri.
Pavarësisht kësaj prirjeje, studiuesit nuk përcaktuan ndonjë kufi specifik pas të cilit rreziku të pësonte rritje të menjëhershme.
Përfundime të ndryshme dolën për mishin e përpunuar, ku përfshihen sallamet, salsiçet dhe produkte të tjera të ngjashme.
Analiza e 11 studimeve nuk konstatoi ndonjë lidhje statistikisht domethënëse ndërmjet konsumit të mishit të përpunuar dhe kancerit të pankreasit, pavarësisht sasisë së konsumuar.
Rezultatet e këtij hulumtimi u shtohen gjetjeve të mëhershme. Një meta-analizë e publikuar sivjet, e mbështetur në të dhënat e më shumë se 1.8 milionë personave, kishte treguar se vegjetarianët kanë afërsisht 21 për qind më pak rrezik për kancer të pankreasit krahasuar me konsumuesit e mishit.
Autorët, megjithatë, nënvizojnë se këto rezultate duhen vlerësuar me kujdes.
Pjesa më e madhe e të dhënave është siguruar nga Evropa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po ashtu, studimet e përfshira ishin kryesisht vëzhguese dhe mbështeteshin në pyetësorë rreth zakoneve të ushqyerjes.
Hulumtime të tilla mund të evidentojnë një lidhje, por nuk dëshmojnë se mishi i kuq përbën shkakun e drejtpërdrejtë të kancerit të pankreasit. Përveç kësaj, mes studimeve të shqyrtuara kishte dallime të konsiderueshme.
