Sa më shumë aktivitet fizik të bëni, aq më mirë jetoni! Ecje të gjata, palestër, çdolloj tjetër aktiviteti është më i mirë se pasiviteti. Po, ka një dilemë në lidhje me numrin e hapave që duhet të bëni, për t’i bërë “nder” kështu zemrës dhe jetëgjatësisë suaj.
Shkëncetarët thonë se ecja me vetëm 4,000 hapa në ditë, pra më pak se gjysma e 10,000 hapave që rekomandohen janë të mjaftueshme për të zgjatur jetën tuaj. Ky është përfundimi i studimit të botuar në Gazetën Europiane të Kardiologjisë.
Studimi tregon se çdo 1,000 hapa shtesë mbi 4,000 zvogëlon rrezikun e vdekjes së parakohshme me 15%. Ky studim analizoi 225 mijë persona me një moshë mesatare rreth 64 vjeç, disa prej të cilëve ishin në gjendje të mirë shëndetësore e të tjerë me faktorë rreziku për sëmundje kardiovaskulare. Personat u gjurmuan për shtatë vjet.
Pas analizimit të të dhënave, studiuesit përcaktuan se rreziku i vdekshmërisë bie në mënyrë të ndjeshme sa më shumë që njerëzit ecin. Ata nuk gjetën një pikë në të cilën aktiviteti shtesë ndalon së qeni i dobishëm, deri në 20,000 hapa në ditë.
Ata arritën në përfundimin se nuk nevojiten një numër masiv hapash të përditshëm për të përmirësuar shëndetin. Rreziku i vdekjes nga çdolloj shkaku filloi të bjerë ndjeshëm pasi pjesëmarrësit në studim kaluan një prag prej rreth 4,000 hapash në ditë. Pragu ishte edhe më i ulët, rreth 2,500 hapa në ditë në rastet e rrezikut të vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare.
Personat mbi 60 vjeç panë rreth 42% rënie të rrezikut të vdekshmërisë kur ecnin midis 6,000 dhe 10,000 hapa në ditë, ndërsa ata më të rinj se 60 vjeç panë një reduktim afërsisht 49% kur ecnin midis 7,000 dhe 13,000 hapa në ditë.
Përfundimi? Sado pak lëvizje të bëni në ditë është më mirë se pa bërë asgjë!