Receta vegjetariane, si të përgatitni në shtëpi picën me perime

Picat hyjnë tek familja e ushqimeve të shpejta që përveç lehtësisë në të përgatitur janë edhe shumë të shijshme.

Ky gatim i shijshëm me origjinë italiane ka marrë aprovimin e thuajse të gjithë globit.

Është një ndër ushqimet e preferuara me konsum masiv kudo.

Një vakt i shpejtë dhe ideal për drekat ose darkat në shtëpi për të gjithë familjen.

Pica njihet si një nga ushqimet me më shumë kombinime dhe receta.

Megjithëse shpeshherë mund të gjejmë kombinime të cilat nuk janë të shëndetshme, sigurisht që me mijra të tjera ofrojnë mënyra shumë të vlefshme për shëndetin.

Më poshtë do të gjeni hap pas hapi udhëzimet për recetën e picës me perime.

Përberësit
500 gr miell

25gr maja e thatë

200gr djathë i bardhë, kaçkavall apo pice

200gr tul domatesh

1 patëllxhan

2 kungulleshka

Një grusht me degëza brokoli

1 spec i verdhë

1 lugë e vogël rigon i thatë

1 tufë borzilok

2 lugë salcë domatesh

kripë

vaj ulliri

ujë

Përgatitja e brumit
Për përgatitjen e picës me perime AgroWeb.org ju këshillon të filloni duke përgatitur brumin.

Merni majanë e thatë dhe filloni ta shkrini në një enë të mbushur me 50ml ujë të vakët.

Shtojini dy lugë miell dhe vazhdoni ta përziejeni derisa të përfitoni një masë të trashë dhe pa kokrriza.

Më pas lëreni të pushojë për rreth 30 minuta.

Në një tepsi të madhe hidhni pjesën tjetër të miellit duke hapur një gropë të vogël në qëndër.

Aty shtoni masën e përgatitur me majanë e thatë duke i hedhur pak nga pak edhe pak ujë të vakët rreth 100ml.

Teksa përzieni miellin me ujin shtoni vaj dhe kripë sipas dëshirës.

Pasi të keni bashkuar të gjithë ingredientët, punoni brumin për 10 minuta.

Bëjeni këtë derisa të shihni që keni arritur një masë kopmakte që nuk ju ngjitet nëpër gishtërinj.

Bëni një top të madh dhe priteni në formën e kryqit në qendër të tij.

Më pas mbulojeni dhe lëreni në një vend të thatë dhe të errët për 2 orë.

Përgatitja e perimeve
Lani dhe pastroni perimet e përzgjedhura më lart.

Ju mund të shtoni ose të hiqni perime sipas dëshirës tuaj.

E rëndësishme është që t’i prisni ato në feta të holla përsëgjati apo të rrumbullakta.

Spërkatini me pak vaj ulliri perimet tuaja dhe vendosini të piqen në tigan për disa minuta.

Kur ato të kenë marrë pak ngjyrë vendosini në një pjatë duke i hedhur pak kripë dhe rigon.

Në një enë tjetër copëtoni 200gr tul domatesh, në formën e një salce.

Përgatitja e picës
Pasi të kenë kaluar 2 orë merni brumin dhe hapeni në mënyrë rrethore.

Hapni një petë jo më shumë se 20 cm me një trashësi 1-2 cm, tek anët kujdesuni të jetë pak me e trashë.

Këtë proçes mund të zgjidhni ta bëni me duar ose me anë të një petësi.

Merni një tepsi në përmasat e brumit tuaj shtrojeni me letër pjekje dhe vendosni me kujdes brumin e picës.

Më pas bashkoni salcën e domateve me tulin e tyre dhe shtrojeni në të gjithë sipërfaqen e brumit.

Shtoni përsëri pak rigon dhe kripë dhe filloni të vendosni djathin e bardhë ose kaçkavall apo djathë pice.

Në fund të këtij proçesi shtroni të gjithë perimet duke nisur nga patellxhani, kungulleshkat, specat e më pas brokolin.

Vërini sipas dëshirës edhe gjethet e borzilokut duke i spërkatur me pak vaj ulliri dhe futeni picën në furrë.

Piqni në temperaturën 220 gradë për 15 minuta ose në temperaturë maksimale për një kohë më të gjatë.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Albeu.com (@albeucom)


Shtuar 11.04.2021 20:05