Një studim i realizuar nga Universiteti Shtetëror i Pensilvanisë ka ofruar shpjegimin shkencor përse shumë njerëz ndihen më të lodhur dhe më të përgjumur gjatë ditëve me shi.
Sipas hulumtimit, ndryshimet në dritë dhe prodhimi i hormoneve janë shkaktarët kryesorë të këtij fenomeni të përhapur.
Gjatë ditëve me shi, drita natyrale është më e pakët, çka bën që trupi të prodhojë më shumë melatoninë, hormoni që rregullon ciklin e gjumit dhe zgjimit. Kjo e bën trupin të ndjehet i lodhur dhe më tërhequr për të fjetur.
Përveç kësaj, niveli i serotoninës, hormoni i lumturisë, është gjithashtu më i ulët në mungesë të diellit. Kjo çon në ndjenja depresive dhe mungesë motivimi, duke bërë që njerëzit të ndihen më dembelë dhe më të përgjumur në këto kushte.
Një tjetër faktor është zvogëlimi i cilësisë së gjumit gjatë netëve me shi. Sipas një studimi të Laboratorit të Gjumit në Universitetin Rochester, njerëzit kanë tendencë të flenë më pak kur ka shi, gjë që përkeqëson ndjenjën e lodhjes gjatë mëngjesit.
Për më tepër, tingujt e shiut që bien mbi dritare ose çati mund të kenë një efekt qetësues, duke krijuar një atmosferë të përshtatshme për gjumë të thellë. Ky tingull ritmik mund të ndihmojë në relaksimin e trupit dhe përmirësimin e cilësisë së gjumit gjatë ditëve të mjegullta dhe me shi.