Përdoret nga 80% e familjeve shqiptare, a është e dëmshme ngrohja me sobë me dru

Prej vitesh jemi dhe vazhdojmë të ngrohemi me soba druri. Kryesisht zonat jug-lindore dhe ato veriore të vendit vazhdojnë të mbajnë gjallë traditën e sobës së drurit, ku zjarri fillon të ndizet në muajin nëntor dhe fiket në muajin mars. Teknologjia e një sobe druri ka avancuar, sipas kërkesave të konsumatorëve.

Çdo familje, konsumatore e sobave me dru, sipas pikave të shitjes së lëndës dru zjarri, konsumon nga 4.000-10.000 lekë të reja në muaj. Sipas INSTAT, për vitet 2015-2016 në Shqipëri prodhime druri dhe letre janë eksportuar 3% dhe importuar 4%. Megjithatë, nga burime të ndryshme informacioni, zakonisht banorët e zonave periferike apo fshatrave përreth zonave pyjore arrijnë të sigurojnë lëndën drusore për gatim dhe ngrohje duke shkuar nëpër pyje, zakonisht natën dhe duke shmangur kështu vlerën e blerjes.

Kush ka mundur të kalojë në qytetet Pogradec dhe Korçë, përgjatë periudhës së dimrit, në të ngrysur, në qytet sheh smogun e krijuar nga sobat e drurit, ku thuajse të gjitha familjet i përdorin për ngrohje. Vazhdon të zgjidhet ende soba e drurit për ngrohje për të ruajtur traditën apo është e vetmja mënyrë ngrohje, të cilët qytetarët mund ta përballojnë?

Ndotja e ajrit brenda shtëpisë

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 3 miliardë njerëz në të gjithë botën gatuajnë ose ngrohen me lëndë djegëse të ngurta (dru ose qymyrgur) ose gatuajnë sipër flakëve. Ky lloj gatimi, i bashkuar edhe me ajrosjen e dobët, çon në rritjen e nivelit të ndotjes së ajrit brenda shtëpisë, që mund të kontribuojë kështu në zhvillimin e kancerit të mushkërisë. Gratë dhe fëmijët janë më të rrezikuar nga ndotja e ajrit brenda shtëpisë.

Për të mbrojtur shëndetin kanë reaguar edhe institucionet e BE-së. Që prej gati 15 vitesh  kufiri ditor prej 50 mikrogramë grimca për metër kub ajër që thithet nuk mund të tejkalohet në më shumë se 35 ditë në vit. Përveç shumë masave mjedisore për kontrollin e ndotjes nga trafiku i makinave, masa të rrepta janë marrë edhe për sobat e drurit.

Çfarë mund të bëjmë ne, me kushte aspak të favorshme ekonomike, me mungesë të theksuar politikash apo programesh specifike për ngrohjen me lëndë djegëse?! Subvencionimi jo vetëm i disa kategorive, por i të gjitha kategorive për energjinë elektrike përgjatë muajve të dimrit, përdorimi i teknologjisë HVAC (Sistemet e Ngrohjes Qendrore) nxitja e përdorimit të peletit për ngrohje, termo-izolim për të gjitha banesat e qyteteve dhe jo vetëm, nxitje të përdorimit të paneleve diellore, përdorimin e sistemit të ngrohjes qendrore, do të ulte ndjeshëm ndotjen e ajrit të qyteteve tona. Nuk janë vetëm Korça dhe Pogradeci qytete që përdorin sobat e drurit për gatim dhe ngrohje, zonat periferike të Tiranës “stolisen” nga fjollët e tymit të oxhakëve ditëve të ftohta të dimrit.

Shtuar 19.01.2022 11:47