Trupat e dy qenieve të supozuara “jo-njerëzore” u prezantuan këtë të martë në një seancë dëgjimore publike në Kongresin e Mexico City. Ata u prezantuan nga gazetari dhe ufologu Jaime Maussan. Trupat, sipas tij, janë mbetje të fosilizuara të individëve jashtëtokësorë që datojnë 1000 vjet më parë.
“Ata janë dy trupa të mumifikuar” – shpjegoi Maussan – “të gjetura në 2017-ën në Peru. Kanë vetëm tre gishta në secilën dorë dhe koka të zgjatura”. Duke folur nën betim në pallatin legjislativ të San Lazaro, Maussan deklaroi: “Këta ekzemplarë nuk janë pjesë e evolucionit tonë tokësor… Këto nuk janë qenie të gjetura pas rrëzimit të një UFO-je. Ato u gjetën në miniera ku ishin fosilizuar”.
Deklaratat u bënë gjatë një seance dëgjimore në Kongres për fenomene anormale të paidentifikuara, e cila u zhvillua disa javë pas seancës dëgjimore në SHBA.
“Është hera e parë që jeta jashtëtokësore paraqitet në këtë formë”, – tha Maussan, “Unë besoj se është një demonstrim i qartë i faktit që kemi të bëjmë me ekzemplarë jo-njerëzorë, që nuk lidhen me asnjë specie tjetër të botës sonë dhe se çdo shkencë institucionale mund ta verifikojë atë.”
“Ne nuk jemi vetëm në universin e gjerë. Ne duhet ta pranojmë këtë realitet” – tha Maussan, i cili argumentoi se publiku ka të drejtë të mësojë për qeniet dhe teknologjitë jo-njerëzore.
Maussan vuri në dukje se ekzemplarët u analizuan nga Universiteti Kombëtar Autonom i Meksikës ku shkencëtarët ishin në gjendje të nxirrnin ADN-në dhe të përdornin datimin e radiokarbonit për të përcaktuar moshën e tyre.
Ufologut iu bashkua në seancë edhe toger Ryan Graves, një ish-pilot i marinës amerikane që dëshmoi në seancën dëgjimore të Kongresit të SHBA në korrik si dhe Avi Loeb, një profesor i astrofizikës në Harvard.