Një provë e thjeshtë dëshmoi se edhe pak minuta komunikim me persona që nuk i njohim mund të përmirësojnë gjendjen shpirtërore, të forcojnë vetëbesimin dhe të shtojnë ndjesinë e lidhjes me të tjerët.
Të lidhura
None found
Çdo ditë, shumica prej nesh ndeshen me dhjetëra të panjohur në autobus, dyqan, park, palestër ose teksa presin fëmijët pas një aktiviteti. Megjithatë, këto takime zakonisht përfundojnë vetëm me një shkëmbim shikimesh.
A mund të ndryshojnë humorin dhe ndjesinë tonë të përkatësisë disa minuta bisedë me dikë që nuk e kemi takuar më parë? Për ta zbuluar, gazetarja dhe shkrimtarja Katharine Chan ndërmori një eksperiment shtatëditor: çdo ditë, ajo duhej t’i drejtohej vetë një personi të panjohur dhe të hapte një bisedë.
Edhe pse përditshmëria e saj zhvillohej mes shumë njerëzve, komunikimi i drejtpërdrejtë ishte i kufizuar. Chan punonte si shkrimtare dhe pjesën më të madhe të ditës e kalonte para ekranit, ndërsa kontaktet i mbante kryesisht përmes mesazheve dhe email-eve. Bisedat ballë për ballë i zhvillonte më së shumti me bashkëshortin dhe, herë pas here, me ndonjë prind tjetër.
Bashkëshorti i saj, siç tregon ajo, mund t’i çonte fëmijët në futboll dhe të kthehej në shtëpi me numrat e telefonit të personave që sapo kishte takuar. Chan sillej krejt ndryshe: shpesh shkonte për t’i marrë fëmijët me syze dielli dhe kapelë, me shpresën se askush nuk do ta përfshinte në bisedë.
Kjo e shtyu të mendonte nëse gabimisht ishte bindur se njohjet e reja kërkonin patjetër shumë energji dhe kohë. Pikërisht nga kjo pyetje nisi eksperimenti i saj, transmeton Telegrafi.
Në ditën e parë, Chan iu afrua kujdestarit të shkollës ku mësonin fëmijët e saj. Një pyetje e zakonshme hapi rrugën për një rrëfim mbi emigrimin dhe familjen. Ai i tregoi se si kishte mbërritur në Kanada, ndërsa ajo solli ndër mend përvojën e prindërve të vet, të emigruar dekada më parë.
Njeriu që ajo e kishte parë shumë herë në mjediset e shkollës tashmë nuk ishte thjesht një fytyrë e njohur, por dikush me një histori të plotë. Ky takim do të mbetej ndër çastet më të bukura të të gjithë provës.
Ditën e dytë, ndërsa priste që vajza të mbaronte kursin e ukuleles, pranë saj u ul një nënë tjetër. Chan e hapi komunikimin me një pyetje të thjeshtë, duke e pyetur nëse dita e saj kishte qenë e ngarkuar.
Prej aty, biseda kaloi natyrshëm te fëmijët, lodhja dhe vështirësitë e prindërimit. Të dyja qeshën dhe u larguan me përshtypjen se ka të ngjarë të komunikonin sërish në takimin e ardhshëm. Nuk ndodhi asgjë e pazakontë, por ky ishte pikërisht thelbi: afrimi me dikë nuk varet gjithmonë nga një bashkëbisedim i gjatë.
Në ditën e tretë, në këndin e lojërave, ajo u përpoq të fliste me një baba që po kujdesej për vajzën e tij të vogël. Komunikimi ishte i shkurtër, pasi vëmendja e tij mbetej te fëmija dhe rrethanat nuk ishin të përshtatshme për një bisedë.
Chan nuk e konsideroi këtë përvojë si dështim. Ajo kuptoi se jo të gjithë kanë kohë ose dëshirë të komunikojnë në një moment të caktuar dhe se kjo është krejt normale.
Një ditë tjetër, një qen krijoi rastin për një bashkëbisedim të këndshëm mes Chan, vajzës së saj dhe një çifti të moshuar. Në palestër, megjithatë, gjërat rezultuan më të vështira. Pothuajse të gjithë mbanin kufje dhe ishin të përqendruar te ushtrimet, ndaj ajo mundi të shkëmbente vetëm pak fjali me një punonjës.
Edhe kjo përvojë i dha një tjetër mësim: jo çdo mjedis ofron të njëjtat mundësi për komunikim, pasi disa hapësira e favorizojnë atë më shumë dhe disa më pak.
Një prej përvojave më emocionuese ndodhi në bibliotekë. Chan dhe fëmijët e saj i ofruan ndihmë një gruaje të moshuar që ndodhej në karrocë. Gjesti i vogël çoi në një bisedë rreth familjes dhe nipërve.
Para se të ndaheshin, e moshuara i tha Chan se ishte një nënë e mirë dhe se duhej të vazhdonte atë që po bënte. Ndonëse vinin nga një grua që nuk e kishte parë asnjëherë më parë, ato pak fjalë i mjaftuan për t’ia zbukuruar të gjithë ditën.
Në ditën përmbyllëse të eksperimentit, Chan nisi një bisedë me një grua në supermarket, pranë sektorit ku shitej mishi. Gjatë komunikimit mësoi se ajo ishte kuzhiniere profesioniste.
Gruaja i tregoi si mund të dalloheshin pjesë të ndryshme të mishit dhe si zgjidhej një biftek i mirë. Më vonë, vajza e Chan i tha se kishte bërë mirë që kishte folur me të.
Në atë moment, gazetarja dalloi edhe një dobi tjetër të takimeve të rastësishme: njerëzit pranë të cilëve kalojmë mund të kenë njohuri që nuk do t’i merrnim kurrë, nëse nuk do t’u drejtonim qoftë edhe një fjalë.
Në psikologji, kontakte të tilla njihen si “lidhje të dobëta”. Ato nuk kanë afërsinë e marrëdhënieve familjare apo të miqësive, por përsëri mund të japin një kontribut pozitiv në mirëqenien e njeriut.
Sipas psikologut Harry Cohen, ndërveprimet e vogla shoqërore mund ta përmirësojnë humorin, ta zbusin vetminë dhe ta forcojnë ndjenjën e përkatësisë. Psikoterapistja Terri Cole përmend gjithashtu një studim, sipas të cilit personat që folën me një të panjohur gjatë udhëtimit me tren ose autobus raportuan humor më të mirë krahasuar me ata që qëndruan vetëm.
Pas shtatë ditësh, Chan nuk kishte krijuar shtatë miqësi të reja dhe jeta e saj nuk kishte pësuar ndonjë transformim rrënjësor. Ajo që ndryshoi ishte këndvështrimi i saj ndaj njerëzve që e rrethonin.
Tashmë priste me kureshtje për të parë se kë do të takonte të nesërmen dhe çfarë rrëfimi mund të dëgjonte. Nga të gjitha përvojat, biseda me kujdestarin e shkollës i mbeti më fort në kujtesë. Ai kishte qenë prej kohësh aty, por ajo nuk e kishte njohur kurrë në të vërtetë.
Vetëm pak minuta komunikim u kishin mjaftuar të dyve që ta vazhdonin ditën duke u ndier më mirë.
Cohen sugjeron që hapi i parë të jetë fare i vogël: një buzëqeshje, një përshëndetje për fqinjin, një “mirëmëngjes” ose një ofertë për të ndihmuar. Synimi nuk është që secili të detyrojë veten të krijojë miqësi me çdo njeri që takon, por që të mos shpërfillet ndikimi i kontakteve të vogla njerëzore.
Në përfundim të eksperimentit, Chan kuptoi se largimi nga zona e rehatisë nuk nënkupton medoemos hapa të mëdhenj. Ndonjëherë, disa minuta bisedë me një të panjohur mjaftojnë për ta bërë ditën më interesante, për të ngritur humorin dhe për të na kujtuar se jetojmë në një botë shumë më të ndërlidhur nga sa mendojmë.
